Bëhet fjalë për një gatim që është karakteristik për shtëpinë tonë dhe natyrisht që e ka origjinën andej nga i kemi rrënjët. Është një tavë që rrëfen kamje, sepse përdoret mish në një sasi të konsiderueshme për një familje që kërkon të shtyjë javën.
Në kohët e vështirësisë, të racionimit, pra të shokut Enver këtë tavë e bënim me plënc, madje më kujtohet që baba më thoshte që “kështu e ka fisin, me plënc”.
Në fakt, mua, njerëzve të shtëpisë, madje edhe Ivës na pëlqen shumë më tepër me mish. E kam provuar këto kohë edhe me plënc dhe prapë del shumë e mirë, por plënci ka një shije më të fortë, ani se uthulla e bën edhe atë me fol me vete.
Pas kësaj pjate mos planifikoni takime galante apo më keq akoma ndonjë projekt dashurie, sepse hudhra bën të veten.
Përbërësit:
Mish gjelle (1.5 kilogramë, të prera në copa)
Uthull rrushi ( dy filxhan kafeje)
Hudhër (7 thelpinj të mëdhenj, të shtypura në havan)
Niseshte (dy lugë gjelle)
Vezë (dy kokra)
Vaj ulliri (aq sa ta do syri)
Kripë
Piper i zi i bluar
Përgatitja:
Copat e mishit zihen pa kripë, derisa zbrumet krejt. Nëse dëshironi mund ta zieni me nga një qepë, një karrotë dhe një fije selino ose pa gjë fare. Pas ftohet mishin pothuaj e thërmon me dorë në një tavë. E kripos dhe i hedh piper. Më pas po në tavë i shton fare pak nga lëngu i mishit, niseshtenë, hudhrat, uthullën, vezët, vajin e ullirit. E përzien të gjithë masën. Më pas e mbulon me lëngun e mishit, por kujdes sa ta ngopi shtresën e fundit, jo të duket si supë, sepse gjatë pjekjes mpikset.
E fut në furrë me 200 gradë nxehtësi. Nana nuk na jep minutazh, por thotë sa të skuqet sipër. Furra duhet të jetë e ventiluar.
Shkon me kupë raki, por edhe me verë, birrë, ujë. E di që është këshillë antidietetike, por hahet me shumë bukë të ngrohtë dhe të zezë.