Nuk ke kohë? Bizelet me pançetë bëhen për 10 minuta

2 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Jeta e përditshme është krejt ndryshe nga cover-at e revistave, ku shfaqen çika-pjeshka që gatuajnë të zbukuruara rëndëshëm, por me furrnellat fikur.

Në fakt, gatimi përpara se të kthehet në tendencë apo fashion është një nevojë e mbarëvajtjes ditore, ku shpesh duhet të luftojë me kohën e pakët. Në raste të këtilla shpesh fiton veza e skuqur apo Arbana Osmani, e cila kurrë nuk e hoqi fterrën nga zjarri për pesë minuta.

Më poshtë po ju rrëfej si ta bëni drekën në 10 minuta, madje me një shije të papërsëritshme.

Përbërësit:

Pançetë (150 gramë) ose çfarë t’ju ketë mbetur në frigorifer nga sallamrat e vjetër

Bizele (500 gramë)

Qepë (1 kokërr e vogël)

Majdanoz (5 fije)

Vaj ulliri

Verë e bardhë (një filxhan çaji)

Piper i zi

Kripë

Përgatitja:

Kemi të bëjmë me një pjatë shumë të lehtë, por në të njëjtën kohë mjaft të lirë.

Fillimisht në një tigan hedhim pançettën e prerë në kubikë (a çfarë t’ju zërë dora në frigorifer). Sa ngrohet pak pancetta shtojmë vajin e ullirit, kripën dhe qepën e prerë shumë hollë. I kavardisim derisa qepa nis e zbehet. Shtojmë bizelet (nga ato të ngrirat që blihen kudo).

I përziejmë mirë e mirë, derisa bizelet të lëshojnë lëngun e tyre. Shtojmë majdanozin e prerë shumë hollë dhe e përziejmë sërish. Kur dallojmë që bizelet po e pijnë ujin e tyre shtojmë filxhanin me verë të bardhë.

Tiganin e mbulojmë me kapak për pak minuta. E heqim kapakun sa të avullojë lëngu i tepërt dhe e shërbejmë hajen për drekë pasi e spërkasim me piper të zi sipas dëshirës.

Nëse doni të hani pak më rëndë përziejini harxhin e bizeleve me makarona të ziera dhe hidhini një lot vaj ulliri sipër.

P.S. Ngaqë isha rëndë, por shumë rëndë me kohën foton kryesore e mora në internet 🙂