Një oriz me limon dhe djathë të shkrirë Philadelphia a quhet vegjetarian?

5 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Së bashku me ngrohjen e motit dhe shijet bëhen pak më të athëta, sepse kërkojnë freskinë duke lënë pas shijet e forta dhe djegëse të mishit apo zarzavateve proteinike si groshët apo thierzat.

Kështu që po paraqes një pjatë me oriz, e cila është disi e thartë, por që i shkon shumë verës dhe prodhimeve të detit. Meqë tani e braktisim pothuaj krejt mishin e kuq, kjo pjatë synon të jetë vegjeteriane, ani se në mes na futet djathi i shkrirë Philadelphia. Por, nëse kjo nuk ua mbush mendjen, atëherë vegjeterianët konservatorë mund të përdorin djathin e sojës Tofu dhe ma merr mendja që përftojnë sërish diçka shumë të shijshme.

Përbërësit:

Oriz (200 gramë)

Qepë e njomë (1 fije)

Djathë i shkrirë Philadelphia (1 kuti)

Lëng zarzavatesh (400 gramë – ose një dado vegjetale e shkrirë në ujë të nxehtë)

Limon (1 kokërr)

Verë e bardhë (1 filxhan çaji)

Vaj ulliri

Kripë

Përgatitja:

Në një tigan ngrohim vajin e ullirit dhe hedhim qepën e njomë të prerë hollë. Sapo qepa merr pak faqe, shtijmë orizin dhe e kavardisim së bashku me qepën për pesë minuta në zjarr mesatar. Kur kokrra e orizit nis të skuqet dhe të bymehet e shuajmë me verë. Presim dy minuta sa të dalë alkoli i verës së bardhë. Grijmë me rende lëkurën e limonit mbi tigan. E përziejmë sërish dhe fillojmë e shtijmë pak nga pak lëngun e ngrohtë të zarzavateve. Orizin në tigan e përziejmë gjatë gjithë kohës me lugë druri dhe sapo shohim që e pin lëngun shtojmë tjetër lëng zarzavatesh.

Kur shohim që orizi është zier i hedhim djathin e shkrirë Philadelphia. E përziejmë me zjarr shumë të ulët ose të fikur fare, derisa djathi të bëhet njësh me orizin. E shërbejmë të ngrohtë. Nëse doni më shumë shije mund të grini mbi pjatë pak majdanoz dhe piper të zi.