Një gjë e mirë me dardha dhe arra

4 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Meqë sikur po e teprojmë me këto titujt në anglisht, dhe meqë përkthimi zyrtar i “pie”, siç quhet kjo ëmbëlsirë, në shqip është “byrek”, (por kjo nuk është fare si byrek), mendova që në titull ta lë thjesht “një gjë e mirë”. Sepse është e mirë shumë vërtetë, aq sa t’i bëhet hallall mundimi që ajo peta mezi hapet që forma të dalë e bukur, pasi brumi është shumë i butë. Ndaj punojeni të ftohtë nga frigoriferi, mes dy letrash kuzhine, ndërsa ëmbëlsirën mund ta hani të ngrohtë, të shoqëruar me akullore ose është një vakt shumë i mirë mëngjesi, shoqëruar me kafen e përditshme.

Përbërësit

60 gr arra të copëtuara, 135 gr sheqer (unë e përdora kaf) dhe pak ekstra për pjesën e sipërme; 250 gr miell të situr; 1 vezë; 150 gr gjalpë në temperaturë ambienti, pak kripë, një lugë kafeje kanellë e bluar.

Për mbushjen

800-900 gr dardha të qëruara dhe të ndara në feta, gjysmë luge kafeje më piper të zi të bluar; lëngu i një limoni.

Përgatitja

Grini në mikserin e kuzhinës arrat bashkë me gjysmën e sheqerit derisa të bëhen si miell. Hidhini në një tas bashkë me miellin dhe përziejini mirë. Hapni në mes një gropë dhe shtoni vezën, gjalpin, kripën, kanellën dhe pjesën e mbetur të sheqerit. Përziejini dhe pastaj punojini me dorë disa minuta derisa të bëhet brum. Mbështilleni në qese kuzhine dhe vendoseni në frigorifer për 30 minuta.

Lyeni një tavë me unazë të lëvizshme me pak gjalpë dhe miell. Merrni dy të tretën e brumit dhe hapeni petë në një sipërfaqe të lyer me miell. Hapeni petën më të madhe sesa tava dhe pastaj vendoseni mbi tavë, duke e ngjitur dhe në bordet e saj. Priteni pjesën e tepërt, bashkojeni me brumin e mbetur, mbështilleni me qesen e kuzhinës dhe vendoseni sërish në frigorifer. Edhe tavën me petën lëreni gjithashtu në frigorifer për një orë.

Hiqni pjesën e brendshme të dardhave dhe vendosini ato në një tas, hidhini piperin, përziejini dhe hidhini lëngun e limonit. Pasi peta të ketë qëndruar një orë në frigorifer, hiquni dardhave lëngun dhe pastaj vendosini në formë spirale mbi petë.

Bëjeni petë pjesën e mbetur të brumit dhe vendoseni mbi dardha, përthyeni mbi të anët e petës së parë. Pudroseni me sheqer dhe lëreni të pushojë për 15 minuta. Piqeni në furrën e nxehur më parë në 190 gradë për 35-40 minuta, derisa të marrë ngjyrë në pjesën e sipërme. Hiqeni nga furra dhe shërbejeni të nxehtë.