Një cheesecake (ca si shumë!) i koklavitur

6 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Eshtë një seri tek “Friends”, ku personazhet çmenden pas një cheesecake-u, që ia vjedhin çdo ditë një komshiu. Ajo ka qenë hera e parë kur kam dëgjuar për “kekun me djathë” dhe në gjithë këto vite nuk kam parë asgjë, që t’i ngjajë atij të telefilmit. Ndoshta, sepse këtu tek ne, gjithandej gatuhen variantet pa pjekje, ndaj dhe kur në librin e Linda Fishtës “200 receta” pashë një gatim të tillë me pjekje, mendova që ky do ishte keku i famshëm, që marrosi personazhet Rachel dhe Joy. Gjithsesi, “varianti” im doli shumë ndryshe nga fotografia në librin e Lindës, ndoshta për këtë e ka fajin tava me unaza të lëvizshme, që e ka diametrin pak më të madh, sesa ajo e këshilluar në libër.

Përtej justifikimeve për pamjen dhe misterin e cheesecake-ut të telefilmit, që ndoshta nuk do mund ta zgjidh kurrë, por mbi të gjitha përtej shijes së djathit, që nuk ndihej fare, megjithë kremin e përdorur në të, mund të them se ishte një nga ëmbëlsirat, që të gjithë ma kanë pëlqyer mbi çdo gjë. Kolegia ime Mira Kazhani  përshembull, kërkoi që në ditëlindjen e ardhshme qirinjtë t’ia vëmë mbi këtë kek dhe deri në prillin tjetër do kem kohë të përgatitem shpirtërisht, për ta bërë edhe njëherë. Sepse teksa e gatuaja e kuptoja që ishte mundim shumë i madh, që të bësh kaq shumë procese, për një ëmbëlsirë të vetme (disa herë madje mendova ta lija përgjysmë, ndoshta dhe thjesht isha e lodhur ose jo në formë). Ndoshta do t’ju duket i lehtë, por më duhet t’ju paralajmëroj: do ju duhet të lani mjaft enë dhe disa herë grirësin elektrik. Aaaa dhe diçka tjetër: ka njëfarë kostoje, sepse ka shumë përbërës aspak të lirë. Dhe shuuumë kalori. Ndaj rrallë e për mall ua këshilloj këtë ëmbëlsirë.

Cheesecake me çokollatë të bardhë

Nevojitet tavë me bordurë të lëvizshme, me diametër 22 cm.

Përbërësit për bazën:

150 gramë biskota me kakao “Pan di Stelle”.

80 gramë gjalpë i tretur, i vakët.

50 gr çokollatë e zezë.

Përbërësit për kremin:

180 gramë çokollatë e bardhë.

400 gr djathë “Philadelphia”.

100 gr sheqer pluhur.

200 ml pana për ëmbëlsirë.

1 bustinë vanilje.

3 vezë.

Përgatitja:

Baza: Biskotat i thërrmojmë si pluhur në mikser. Shtojmë gjalpin dhe i përziejmë edhe një minutë, i vendosim në tavën e lyer me letër furre dhe i ngjeshim mirë, sa të krijohet një masë kompakte. Sipër i shtojmë çokollatën e zezë të thërmuar dhe e shtypim që të ngjitet me biskotat. Tavën e fusim në frigorifer.

Për kremin:

Shkrijmë fillimisht çokollatën e bardhë në banjëmari dhe e lëmë të ftohet.

Rrahim djathin “Philadelphia” me rrahësen e vezëve, shtojmë sheqerin, panën dhe vaniljen. I përziejmë derisa të bëhen si krem. Shtojmë të verdhat një nga një, duke i përzierë teksa i shtojmë. Shtojmë çokollatën e bardhë, që ndërkohë është ftohur.

Rrahim të bardhat e vezëve me rrahësin elektrik, derisa të bëhen si marengë. E hedhim dalëngadalë me lugë mbi përzierjen e djathit, duke e përzierë me kujdes me spatul nga poshtë lart, në mënyrë që të bardhat e vezëve të mos shpërbëhen.

Kremin ia shtojmë tavës që kishim futur në frigorifer. E nivelojmë dhe e pjekim për 50-60 minuta në furrën e nxehur paraprakisht në 180 gradë. Nëse nevojitet, pak para përfundimit të pjekjes e mbulojmë me letër alumini, që të mos digjet në sipërfaqe.

Kur të jetë pjekur, e nxjerrim nga furra dhe e lëmë të ftohet në temperaturë ambienti. E fusim në frigorifer, të mbuluar me letër alumini dhe e lëmë aty të paktën katër orë.

Mund ta zbukurojme me copa çokollate përpara se ta shërbejmë.