Mos doni një kek pa gjalpë e gjithë çokollatë?! Bujrum!

4 muaj me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Po e them që në fillim: me gjalpë ky kek do të ishte fundi i botës. Por një glase me kakao, pak kafe dhe çik gjalpë qw i  wshtw hedhur sipër, e ka shpëtuar (hallelujah!). Por kjo është veç shija ime, pasi me çfarë kam parë vërdallë nw faqet e blogereve shqiptare të ushqimit, shumica nga ju kekun e bëjnë me vaj luledielli. Ndaj ja ku e keni një super-recetë të tillë, për hir të së vërtetës mjaft e shijshme dhe që shkon për bukuri me një tas akulloreje. E kam marrë nga libri i Sadije Berishës (herën e parë që e bëra e zëvendësova vajin me gjalpë, kësaj radhe e bëra si formula origjinale). Zonja që e ka bërë, për mua më e mira absolute kur vjen puna tek ëmbëlsirat, e quan thjesht “keku i dashurisë”. Një emër mjaft i gjetur: ku ka çokollatë, dashuria nuk mungon.

Përbërësit për një tavë drejtëkëndore 30×22 cm

450 ml vaj luledielli, 500 gr gr miell; 400 gr sheqer, 4 kokrra vezë; pesë lugë gjelle kakao; 3 lugë kafeje sodë buke; 400 ml qumësht; vanilje.

Për një tavë më të vogël si kjo e “Tescoma”-s 20×20, që sapo e kam marrë dhe e inagurova në mënyrë të lavdishme me këtë kek, (nuk ngjit, nuk gërvishet), të gjitha masat pjesëtojini me dy.

Për glasenë:

125 gr gjalpë në temperaturë ambienti; 4 lugë gjelle kakao; dy lugë kafe të ftohtë, 200 gr sheqer pluhur, arrë kokosi e grirë për zbukurim

Përgatitja

Rrahim me dorë ose me përzierësin elektrik vajin dhe sheqerin dhe hedhim një nga një vezët dhe vazhdojmë i përziejmë derisa të bëhen si shkumë.

Gjithë përbërësit e thatë përzihen veçmas dhe i shtohen masës.

Përzierja hidhet në tavë kartore dje piqet për rreth 60 minuta në furrën e nxehur në 125 gradë

Ndërsa keku është në furrë, përgatitet glaseja e çokollatës.

Trazohen të gjithë përbërësir (përveç arrës së kokosit). E hedhim kremin mbi kekun, pasi të jetë pjekur dhe të jetë i ngrohtë. E presim kekun në katrorë dhe pasi të kalojnë 10 minuta i hedhim sipër arrën e kokosit.

Mund ta shoqërojmë me akullore (dhe pak gliko qershie që i kam hedhur sipër akullores, nuk është se bën keq).