“Mississippi Mud Pie”: për festat e amerikanëve, le ta bëjmë si në Amerikë

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

“American Pie” për publikunshqiptar është bërë i njohur me filmin komedi që në shqip është përkthyer “Ëmbëlsi amerikë”: një grup adoleshentësh që ende nuk kanë kryer marrëdhëniet e para vendosin që të mos shkojnë në universitet pa u zhvirgjëruar dhe mes situatash komike, teksa përpiqen të realizojnw “misionin”, njëri prej tyre mëson nga i ati si seksi është si “American Pie”… Domethënë po aq i ëmbël.

Një ëmbëlsirë shumë e ngjashme me tartat franceze. Por jo aq delikate, pra me shumë më shumë kalori. Receta e tillë e parë që zgjodha të bëj, ishte një bombë e vërtetë, sikur të mos mjaftonin biskotat Oreo, në lojë futet dhe çokollata bashkë me gjalpin e vezët e në fund pana e rrahur… Por për festa nuk ka lezet të llogariten kaloritë, madje edhe kur bëhet fjalë për festa ta huazuara rishtazi e që sa kanë nisur të bëjnë vend në kalendarin tonë të festave, si kjo e Halloween –it. Nuk më bëri zemra të bëja një variant të shëmtuar për “pie”-n tim të pare, e meqë kungullin e verdhë nuk e ha fare, zgjodha çokollatën, dhe ëmbëlsira në një darkë me miqtë u përpi deri në thërrimen e fundit. I vetmi gabim: tava. Meqë shtëpinë ende nuk e kam pajisur për të gjitha llojet e gatimeve, më mungonte tava tipike për “Amerikan Pie” dhe u desh të përdorja një tavë normale me unaza të lëvizshme. Herës së ardhshme, me një tjetër recetë për “American pie” jam e bindur që dhe pamja do jetë fiks si në Amerikë (besoj se tashmë e keni të qartë se ç‘mund të më bëni për dhuratë).

Përbërësit

85 gr gjalpë (dhe pak më shumë për të lyer tavën)

300 gramë biskota Oreo

 

Për mbushjen

115 gr gjalpë

30 gr çokollatë e zezë e cilësisë shumë të mirë

85 gr çokollatë e errët e cilësisë së mirë

3 lugë gjelle miell

1 lugë kafeje me kafe ekspres ose nesscafe

Një majë luge kripë

150 gramë sheqer kaf

50 gramë sheqer i bardhë

Ekstakt vaniljeje

3 vezë të mëdha

 

Për kremin

200 ml pana e lëngshme

1 lugë e gjysmë sheqer pluhur

4 lugë gjelle arra amerikane të thërrmuara (pecans)

 

Përgatitja

  • Thërrmojmë biskotat në blender, hedhim mbi to gjalpin e shkrirë dhe i përziejmë, sa të bëhet një masë kompakte.

 

  • Lyejmë tavën me gjalpë të shkrirë, vendosim duke shtypur masën e biskotave sa të hapet mirë, duke e bërë më të lartë anëve. E lëmë rreth 45 minuta të pushojë në frigorifer.

 

  • Nxehim furrën në 190 gradë. Për të përgatitur mbushjen, shkrijmë në një enë gjalpin bashkë me dy llojet e çokollatave në zjarr të ngadaltë. Kur të jetë bërë e lëngshme, e përziejmë me kafen, kripën dhe dy llojet e sheqerit.

  • Shtojmë duke vijuar përzierjen tre vezët, vaniljen dhe miellin dhe më pas e hedhim mbi masën e biskotave që kishim lënë mënjanë.

 

  • E pjekim për 30 – 35 minuta, derisa pjesa e sipërmë te jetë e pjekur (bëni provën me krruajtëse dhëmbësh). Pasi e heqim nga furra, e lëmë të pushojë një deri në dy orë.

 

  • Për të përgatitur pjesën e sipërme pana e lëngshme rrihet me rrahësen elektrike me sheqerin pluhur. E vendosim mbi ëmbëlsirë dhe i hedhim sipër arrat e grira. Ëmbëlsira mund të qëndrojë e mbuluar në frigorifer deri në dy ditë dhe mund të shoqërohet edhe me akullore.