Mish derri me mollë dhe narden, i frymëzuar nga Jonida dhe Albi

6 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Të premten në mbrëmje ia shtruam bisedës me Jonidën (Shehun) dhe Albin, i cili më rrëfente me një pasion të rrallë disa pjata kretase. Më tregonte për mishin e qingjit që bëhet sipas traditës së kaçakëve të Kretës apo për delen e tredhur. Por, në fund para se të ndaheshim, pasi kamarieri po na i ndërronte pak si shpesh kupat dhe biseda na ishte ëmbëltuar sa më s’ka, Albi më thotë: “Bën nëna ime një mish derri me ftonj dhe kumbulla që ta heq mendjen”. U tregua menjëherë i gatshëm ta merrte në telefon, në mënyrë që t’i merrja recetën, por druaja se mos zonjës do i duhej pak mundim të na e niste me sms, prandaj i rashë për shkurt: “Lëre, se e gjej vetë”. Ja kështu u ktheva në shtëpi me idenë që do bëj një copë të mirë tuli derri me ftonj.

E para, ftonjtë në darkë qenë mbaruar nga një njeri i padukshëm, me gjasë pjestar i familjes sime.

E dyta, kumbulla nuk kisha, por ama kam narden dhe mollë.

Prandaj, herë tjetër do i bie në qafë nënës së Albit, ndaj nuk e ndryshova planin. Mish derri, por me mollë, qepë të kuqe dhe narden. Kjo është një pjatë tipike e Toskanës, por unë marr guximin të përdor narden dhe verën e bardhë ta përgjysmoj me konjak, të shtoj ca erza që ata të Toskanës, nuk jua ka ënda, madje ndez edhe furrën.

Përbërësit:

Mish derri (pjesë kofshe e pastruar 1 kilogram)

Qepë të kuqe (1 kokërr)

Narden (1 fije, por nëse nuk ke katër-pesë kumbulla të thata)

Mollë (1 kokërr)

Vaj ulliri

Verë e bardhë (2/3 e gotës së ujit)

Konjak (1 filxhan çaji)

Lëng zarzavatesh

Kripë

Piper i kuq

Rozmarinë (1 fije)

Dafinë (2 gjethe)

Spango kuzhine

Përgatitja:

Mishin e lidhim me spango dhe brenda në saj i vendosim fijen e rozmarinë dhe dafinës. Në një enë gize, guri apo balte që mund ta vësh sipër flakëve hidh vaj ulliri dhe përskuqe copën e mishit me zjarr mesatar në të dyja anët. Kripose dhe hidhi pak piper të kuq kokërr. Nëse nuk i ke këto enë përdor një kusi të zakonshme.

Ndërkohë që mishi merr anë, qërojmë mollën dhe e presim në copa të vogla. Nardenin e presim gjithashtu me katrorë të vegjël. Qepën e kuqe e presim sa më hollë. Pasi mishi të ketë marrë ngjyrën e duhur nga të gjitha anët e shuajmë me verën e përzier me konjak. Presim derisa të avullojë alkoli dhe hedhim në enë mollën, qepën, nardenin të prera më parë. Ulim zjarrin dhe e mbulojmë me kapak për 15 minuta. Pastaj i ndërrojmë anën mishit dhe e lëmë edhe çerek ore tjetër me kapak. Në Toskanë e lënë me kaq, por në këtë çast unë i shtova dhe një gotë uji me lëng zarzavatesh. Nëse nuk e ke bërë vetë këtë lëng hidhi një dado dhe gotën e ujit. Futë në furrë me 200 gradë nxehtësi. Përskuqe mirë nga të dyja anët. Lëre të ftohet pak dhe me një thikë prite mishin sa më hollë. Për ta shërbyer bëni si dini vetë, por mishin lageni me lëngun që ka lëshuar harxhi dhe në anë shto pak nga mollët dhe qepët, se kanë një shije të veçantë.