Mish derri me birrë

6 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Dikur, ndërsa mishi qe me racion na ra një copë kohë që çdo javë të merrnim vetëm një kilogram mish derri. Me thënë të drejtën, nga krahina që vinte familja ime mishi i derrit nuk hynte aspak në traditën tonë të kuzhinës, prandaj nana e shihte dhe nuk e cekte me dorë. Nuk ia mbante ta shprehte me zë të lartë atë që mendonte, se druhej mos ne të vegjëlit bënim qyfyre në shkollë dhe e merrnim  në qafë.

Por, meqë baba im ishte gjeolog dhe kishte bredhur pëllëmbë për pëllëmbë gjithë Shqipërinë, dinte të gatuante gjithçka; nga zhabat e ujit e deri tek mishi i thiut.

Ai ishte i pari që më futi në gjak aromën e dafinës, rozmarinës dhe rigonit tek mishrat në furrë. Sot, kam një farë nostalgjie për tavën e tij të mishit të derrit në furrë, të cilën na lejonte ta shoqëronim me nga një gotë birrë të ftohtë që e blenim të hapur qysh në mëngjes tek gjelltorja e lagjes.

Përbërësit:

Trung mish derri 1.2 kilogram

Vaj ulliri

1 kokër qepë

2-3 thelpinj hudhër

1 bisht selino

2-3 domate të thatë

Narden ose kumbull të thatë 4 copë

Piper i kuq dhe i zi kokërr

1 shishe birrë 330 ml

Erza – dafinë, rigon, rozmarinë, mente, trumzë, arë moskati

Përgatitja:

Kjo është një pjatë që ka një farë vështirëse, por derisa e kam realizuar unë, jam i sigurtë që e bëjnë të gjithë.

Blini trungun e mishit të derrit, pjesën e bërxollës, por pa e ndarë, vetëm në pjesën anësore, atë të brinjëve futeni thikën e mprehtë dhe krijoni një farë kanali pa e lënë të shkëputet mishi nga trungu.

Të gjitha erëzat e forta, dafinë, rigon, rozmarinë, mente, trumzë lidhini bashkë tufë dhe futini në atë kanal që është krijuar.

Në një tenxhere furre hidhni bujarisht vaj ulliri, dy-tre copa domate të thatë, një kokërr qepë të ndarë në gjysëm, selino, hudhër tre thelpinj të mëdhenj, nëse dëshironi edhe një karrotë. Vendosni trungun e mishit nga pjesa e tulit, ku ka ende pak dhjamë.

Nisni ta kavardisni me zjarr mesatar. Hidhni kripë të trashë, piper kokër të kuq e të zi dhe arë moskati. Kripën shtijani pa frikë, sepse mishi i derrit ndryshe nga i viçit zien shpejt dhe veç me lëngun e tij.

Prisni gati 25 minuta të kavardiset në një krah dhe kthejeni për 15 minuta të tjera në krahun tjetër të kockës. Pikërisht në këtë moment, hidhini kumbull të thatë të prerë hollë. Unë për vete përdor narden.

Pasi e ka marrë edhe këtë kavardisje derdhni në të një shishe birrë të plotë 330 ml. Vendosini kapakun tenxheres dhe lëreni të thithë birrën për 30 minuta, por në zjarr shumë të dobët. Më pas kthejani krahun mishit edhe për 10 minuta të tjera.

Më pas e fusni në furrë të parangrohur në temperaturën 200 gradë. Lëreni 30 minuta të tjera dhe herë pas here çpojeni me pirun.

Pasi mishi ka marrë ngjyrën e dëshiruar, shkëputjani krejtësisht pjesën e tulit nga kocka dhe tulin priteni hollë, mundësisht pasi të jetë ftohur.

Shërbejeni duke i hedhur lëngun e krijuar në fund të tenxheres.

Unë e rekomandoj me verë të kuqe të një gradacioni të lartë, ose më mirë si e donte im atë me një alamet gote rakije dhe ca patate furre.