Me këtë zëre-se-është-kek do ju duket sikur hani veç fruta

2 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Shumë nga ndjekëset e mia në Instagram më ankohen se po i marr më qafë me ëmbëlsirat, se shumica e tyre janë në dietë… Ndaj po ua bëj qejfin: këtë kek e kam kopjuar nga një dietologe, nga faqja e Blerina Bombajt një vit më pare, ndaj i bie të jetë dietik, apo jo?! Shumica e atyre që e kanë provuar e kanë pëlqyer për shkak të shijes së frutave, qershive dhe kajsive, që ruhen më së miri dhe shkojnë për mrekulli me kanellën. I sapodalë nga frigoriferi pastaj, është kaq i shijshëm si ëmbëlsira që na duhet pas vakteve, por edhe për mëngjes. Dhe mbi të gjitha bëhet tak fak, mjafton të keni durim të hiqni bërthamat e qershive (të gjithë ata që më kanë pyetur në inbox për heqësen e qershivem drejtohuni tek faqja e Tescoma, atje mund ta pajisni kuzhinën me të gjitha enët, veglat dhe xhinglat që ju duhen për të bërë ëmbëlsira).

Përbërësit:

300 gr qershi, 700 gr kajsi.

Për brumin: 3 vezë; 170 gr gjalpë në temperaturë ambienti; 150 gr sheqer kaf; 170 gr miell; një lugë çaji kanellë e bluar.

Përgatitja:

Pastroni frutat, hiqini bërthamat dhe pritini kajsitë në feta, përziejini me njëra tjetrën.

Tavën me unazë të lëvizshme visheni me letër furre, lyejeni me gjalpë dhe mbi letër shtroni pak sheqer kaf. Hidhni aty frutat.

Rrihni sheqerin me gjalpin derisa të bëhen krem, shtoni vezët dhe vazhdoni përzierjen, në fund miellin dhe kanellën.

Hidheni brumin mbi fruta dhe piqeni për rreth 40-45 minuta në furrën e ngrohur më parë në 175 gradë.

Pasi të ftohet përmbyseni kekun dhe shërbeheni të ftohur në frigorifer.