Mbrëmjet e verës shijohen në ballkon (nëse ke gjërat e duhura dhe kekun me speca)

4 muaj me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

E keni parasysh sa mirë mund të kalohet një mbrëmje verore në një verandë të madhe, ku nuk mungojnë pemët në vazot e mëdha rreth e rrotull, as lulet shumëngjyrëshe, as tryeza dhe karriget verore dhe as pjatat dhe serviset me ngjyra vere?! Pastaj një qiri dhe një shishe vere e bëjnë të gjithë shumë më romantike. Epo duhet ajo veranda e madhe do thoni tani, pastaj këto të tjerat që kushedi se sa kushtojnë, se vera dhe qiriri kollaj… Por ja që unë verandën nuk e kam hiç të madhe, madje nuk meriton të quhet as verandë por ballkon tipik shqiptar, që po ta marrësh hollë hollë nuk ka as ndonjë pamje romantike përballë (jetoj në mes të Tiranës, si të gjithë shoh ballkonet e komshinjve, dëgjoj dhe pëshpëshin e tenxheres me presion me raste), por nuk mungon as pema e ullirit në një cep, as lulet dhe mbrëmjeve mund ta shndërroj në një qoshkë të lezeçme, për darka të vogla, ku nuk mungon asgjë: tavolina dhe karriget që ditën mund t’i mbyllësh, vazot e qirinjve dhe së fundmi dhe servisi i ri me pjatat që duken sikur janë prej guri dhe kanë ngjyrat tipike verore, të bardha me fileto blu. Modeste në çmime, si vetë ballkoni im, të blera ashtu si dhe tryeza e karriget tek Megatek. Madje nuk ke pse shkon dhe deri atje, mund ta bësh këtë punë nga celulari ose kompiuteri i shtëpisë, në www.megateksa.com, të njihesh me ofertat, me gjithë produktet, t’i porosisësh ato qw do dhe të t’i sjellin direkt në shtëpi. Kështu ballkonin mund ta shndërrosh në çast në hapësirën, ku do të duash të kalosh gjithë mbrëmjet e kësaj vere.

Po për të gatuar? Në një prej pjatave drejtëkëndore të kësaj tryeze ka gjetur vend një kek i kripur, që përgatitet shumë thjesht, ka shije të shkëlqyer verore dhe është mjaft i mirë për aperitiv, përpara se të kalojmë tek pjata kryesore. E kam huazuar nga libri i Linda Fishtës “200 receta” dhe kjo është vera e tretë që e gatuaj rregullisht (megjithëse asnjëherë deri më sot nuk më ishte dukur kaq i bukur sesa në këtë pjatë).

Përbërësit për një tave në formë drejtëkëndore

200 gr miell 00; 500 gr speca të kuq; 100 gr ullinj pa bërthamë; 100 gr djathë i bardhë; 100 ml qumësht; 3 vezë; 8 lugë gjelle vaj ulliri; 3-4 gjethe borzilok i freskët; 1 bustinë fryrës për torta të kripura; kripë e piper sipas dëshirës; pak galetë të grirë dhe vaj ulliri për të lyer tavën.

 

Përgatitja:

Pjekim specat në furrë të nxehtë dhe kur të jenë gati i mbyllim në një qese derisa të ftohen. Më pas u qërojmë lëkurën, farat dhe i presim në rripa të hollë.

Rrahim vezët në një tas, shtojmë vajin, qumështin dhe borzilokun e grirë hollë, kripë e piper. Nëpërmjet një site shtojmë miellin dhe sodën.

Lëmë mënjanë për dekorim disa rripa speci dhe disa ullinj ndërsa të tjerët i hedhim te brumi dhe i përziejmë me një spatul. Shtojmë djathin të prerë në kubikë.

Hedhim brumin në tavën që e kemi lyer më parë me vaj ulliri dhe galetë.

I vendosim sipër copat e specit dhe ullinjtë që kishim lënë mënjanë.

E pjekim për 40 – 45minuta në furrën që e kemi nxehur në 180 gradë. E shërbejmë të vakët ose të ftohtë.