Nëse do të gëzosh një fëmijë që nuk e ka me qejf ushqimin, provoji dhe jepi makarona me mish të grirë. Ka për ta përlarë të gjithë pjatën dhe do të thotë: “Ka prapë?”.
Është një pjatë shumë e shëndetshme, e thjeshtë për t’u përgatitur, por kërkon pak durim, se harxhi i do nja tre-katër orë të mira në zjarr tejet të ngadaltë. Por, jam i bindur që mund ta bëjnë të gjithë, madje edhe Iva Tiço do i hante me njnë frymë, megjithëse bën si franceze.
Receta origjinale ose të paktën asaj që i referohen të gjithë e gjeni në Bolonja, por ne i kemi bërë nja dy përmirësime, meqë kemi guxim nga natyra. Unë e bëj me domate të freskët, jo me lëng domateje. Shkoj në fund të ditës tek shitorja e zarzavateve dhe marr domatet më të lodhura. T’i shesin për dy lekë dhe ta dinë për nder që po jua mbledh.
Përbërësit:
Mish i grirë (200 gramë viçi, por mund ta përdorësh edhe të përzier për t’i dhënë shije më të fortë)
Qepë (një kokërr)
Presh (1 fije)
Karrotë (1 copë)
Selino (një tufë ose 1 fije)
Domate gjelle (5 kokrra)
Verë e kuqe (1 filxhan çaji)
Vaj ulliri (1 filxhan çaji)
Kripë
Spec djegës (sipas dëshirës, mund ta lësh edhe pa të)
Përgatitja:
Në një kusi hedh vajin e ullirit. Pret hollë qepën dhe preshin dhe i kavardis me zjarr mesatar. Shton specin djegës, nëse e do pak pikante. Pret hollë karrotën dhe selinonë dhe i hedh në kusi. Më pas hedh mishin e grirë. I kavardis jo më shumë se 10 minuta. E kripos harxhin dhe e shuan me verën e kuqe. Sa të dalë alkoli i verës shton lëngun e domates që ke përfituar duke i grirë ose kaluar në rende ato të lodhurat.
Kusinë e lë në një zjarr shumë të dobët për të paktën tre orë. Herë pas here që mos të thahet i hedh nga një filxhan ujë.
Më tej ziej makaronat sipas dëshirës dhe derdhi harxhin sipër. Nëse dëshiron mund t’i hedhësh djath parmixhan të grirë.