Linzer cookies, të bukura si vetë Pashka

3 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Kam tre ditë që përpiqem të shqiptoj në shtëpi në mënyrë korrekte biskotat Linzer [ˈlɪnzər], por i marr të keqen si gjithmonë gërmës ‘r’ që vjen pas zanores dhe jam dorëzuar përpara të dashurit tim perfeksionist që nuk do e shqiptoj dot kurrë siç duhet gjuhën e tij. Por nga ana tjetër, biskotat austriake më të famshme, arrita t’i bëja në mënyrë (thuajse) perfekte që herën e parë (gabimi i vetëm është që duhej t’i bëja pak më të holla), meqënëse bashkohen dy e nga dy.

Megjithëse pashë shumë reviws për brumin, ku thuhej që mezi hapej, nuk mu duk dhe aq gjë e tmerrshme, edhe pse mielli i bajameve duhet thënë që e vështirëson goxha punën. Ndaj është më mirë që në frigorifer të fusni brumin të bërë petë, mes dy letrash kuzhine, dhe jo top brumi sic e bëra unë (sepse nuk kisha vend). Do e shihni që format do i bëni shumë kollaj.

Sa u takon formave të Pashkëve, dua t’i paraprij pyetjes: ekzaktësisht këto, nuk e gjeni në Tiranë. Por keni shumë të tjera të ngjashme, me zemra ose lule, dhe mund t’i sajoni vetë.

Dhe një tjetër sekret për në fund: Pudrosni me sheqer gjysmat e sipërme përpara se t’i ngjisni me reçel, ndonëse në cdo recetë në internet shkruhej që pudrosja bëhet në fund… Kështu receli nuk do bëhet i bardhë nga sheqeri, por do ruajë ngjyrën.

Dhe në fund fare fare, më e rëndësishmja: përbërësit. Unë i kam zgjedhur më të mirat e mundshme tek supermarket Bioju. Kur them që gjalpi i biskotave duhet të jetë i mirë, kam parasysh këtë lloj gjalpi, edhe organik, edhe të përpunuar. Megjithë respektin për prodhuesit shqiptarë, gjalpi i baxhove nuk është për ëmbëlsira (mund ta përdorni për gatimet e tjera). Mielli i bajameve gjithashtu është shumë e rëndësishme të jetë i cilësisë së lartë. Kur të provoni të bëni petë me të, do të më kujtoni.

 

Përbërësit:

(masa është me cups, si në foto. Nëse nuk keni një të tillë, “ask google”, konvertohet direkt)

1 e ½ cups miell bajamesh; 1 e ½ cups miell për të gjitha përdorimet; ¼ lugë çaji kanellë pluhur, ¼ lugë çaji karafil I bluar; ¼ lugë çaji kripë; 1 vezë e madhe; 1 lugë çaji vanilje; ½  cups gjalpë në temperaturë ambienti, ½  cups sheqer; reçelin tuaj të preferuar dhe sheqer pluhur për dekor.

 

Përgatitja:

Bëjmë bashkë gjithë përbërësit pluhur dhe i përziejmë.

Rrahim me mikser gjalpin dhe sheqerin derisa të bëhen krem, shtojmë vezën dhe e rrahim derisa përbërësit të jenë shkrirë plotësisht me njëri – tjetrin.

Shtojmë perzierjen dhe i punojmë bashkë derisa të bëhet brum kompakt.

Ndajmë brumin përgjysmë dhe secilën petë e hapim rreth 8 mm të trashë, e vendosim në letër kuzhine dhe e lëmë në frigorifer për dy orë (ose në akull për gjysmë ore).

Ndezim furrën në 175 gradë celcius. Presim biskotat sipas formave. Njërën gjysmë të brumit me formën e plotë dhe tjetrën me format me formën e prerë në mes.

Shtrojmë dy tava me letër kuzhine dhe i pjekim biskotat 7-9  minuta, derisa të nisin të zverdhen pak.

Pasi të ftohen sa të mund të hiqen nga tava, pudrosim gjysmat e sipërme me sheqer pluhur dhe i ngjisim biskotat me njëra tjetrën me reçelin e preferuar. Unë kam përdorur reçel borronice dhe kajsie, pa sheqer të shtuar, të dyja të blera në Supermarket BioJu.