Le t’i vëmë vulën: mëngjeset në shtrat duan biskota me gjalpë!

4 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Për hir të së vërtetës, ushqimi në shtrat është një nga gjërat që nuk e bëj që nga kohët e adoleshencës, pasi i kam shumë të këqija marrëdheniet me çfarëdolloj thërrimeje mes çarçafësh. Ndaj dhe që kur nisa të jetoja më vete, nuk i jam dorëzuar kurrë tundimit për të mbajtur televizor në dhomën e gjumit, pasi kështu do e gjeja veten kollaj me tabaka në dorë në shtrat. Kurse qëkur përktheva librin “Madame Chic”, mora zotimin që tabakanë do e zhdukja edhe nga divani dhe ia kam dalë mbanë që tashmë çdo vakt ta ha në tryezë, siç këshillohet në libër. Ama nuk mund ta mohoj që fotot e tabakave në shtrat duken shumë bukur, ndaj dhe këto biskota e panë veten për tre minuta aty, për t’u ngrënë pastaj si shoqëruese të kafes në ballkon.

Brumi i tyre është tepër i thjeshtë, klasiket e biskotave me gjalpë, që mund t’i gatuajë mirë kushdo, që nuk zhgënjejnë kurrë dhe që e mbajnë formën (nuk duan asnjë lloj fryrësi, majaje, brumi që fryhet vetë).  Meqënëse doja një pjesë me kanellë dhe tjetrën me limon, përbërësit e recetës i pjesëtova me 2 dhe brumin e bëra dy herë. Në fakt nuk bëra asnjë punë, të gjithën e bëri brumatriçja ime Smeg. Unë thjesht i peshova përbërësit dhe në fund u mora me format. Vula e që kisha marrë tek Tescoma i bëri kaq të bukura sa kushërira, të cilës i nisa një foto më tha: “gjynaf nuk duken si artizanale, por si të blera”. Unë e mora për kompliment: ku ka më mirë, t’i kemi edhe artizanale në shije, edhe të përsosura në formë?!

Për rreth dyzet biskota:

350 gr miell; 150 gr sheqer pluhur, 130 gr gjalpë, 2 vezë; pak vanilje; 1 lugë gjelle kanellë/ lëkura e grirë e një limoni dhe dy lugë lëng limoni.

Përgatitja

Përzieni bashkë të gjithë përbërësit dhe punojini, me dorë ose në brumatriçe, derisa të të formohet një brumë i plotë që nuk ngjit.

Mbështilleni me qese kuzhine dhe lereni për rreth dy orë në frigorifer.

Nxirrni brumin dhe ndërkohë ndizni furrën në 160 gratë. Vishni tavat e pjekjes me letër kuzhine.

Hapeni brumin në forme pete, priteni në format e dëshiruara.

Piqini biskotat 10-12 minuta.