Kush u velerit me gjelin le të kalojë tek kjo tavë me zarzavate

2 muaj me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

PasVitiRi nënkupton disa ditë dembele, ku njerëzia lëpin kockat e fundit të gjelit, gërryen fundin e kusisë për dromzat e mbetura të përsheshit dhe e ngjyen kotheren e bukës me sallatë ruse drejt e në tas.

Ka të tjerë që nuk i afrohen fare këtyre hajeve dhe të veleritur ua do zemra veç bukën e thekur me vaj ulliri dhe një copë djath të bardhë.

Prandaj, në datë 2 janar është mirë ta ndezësh shporetin dhe ta bësh gati një tavë dheje me copëra mishi viçi, zarzavate të stinës, pasi kështu i bën një shërbim të mrekullueshëm stomakut dhe shijes.

Përbërësit:

Mish viçi gjelle (250 gramë)

Presh (1 fije të plotë)

Qepë e njomë (dy fije)

Speca (2 copë nga ata për t’u mbushur)

Spec djegës (1 copë)

Domate (2 kokrra të mëdha)

Karrotë (1 copë e madhe)

Finok (gjysëm kokërr)

Hudhër (1 thelpi i madh)

Ulli kokërr pa bërthamë (10 copë)

Gjizë (dy lugë gjelle)

Dafinë (tre gjethe)

Majdanoz (1 tufë)

Verë e kuqe (1 filxhan çaji)

Vaj ulliri

Piper i zi i bluar

Arrë moskat

Kripë

Përgatitja:

 

Mishin e gjellës e lëmë 20 minuta në tenxhere me presion vetëm me ujë dhe pa kripë. Më pas e qërojmë nga dhjamrat dhe dellërat, nëse ka dhe e presim në copa të vogla kubike.

Në një tigan ngrohim vajin e ullirit me thelpiun e hudhrës. Shtijmë copat e mishin, specin djegës, ullinjtë pa bërthamë, gjethet e dafinës dhe hedhim kripën. Më pas shtojmë preshin, qepën e njomë të prerë hollë.

Vazhdojmë kavardisjen me zjarr të fortë. Hedhim karrotën, finokun të prerë hollë dhe vazhdojmë kavardisjen. Shtijmë piperin dhe arrën moskat. E shuajmë masën që po skuqim me verë të kuqe. Presim sa të avullojë alkoli. (Besimtarët islamë sipas meje mund të përdorin verën në gatim, se avullimi i alkolit ndodh përherë, por nëse nuk kanë besë le ta lënë fare, megjithatë është e njëjta logjikë si për uthullën, e cila ka alkol gjithashtu).

Domatet i kalojmë në një rende, kështu që përfitojmë lëngun dhe mishin e tyre, por kemi hequr qafe lëkurën. Domaten e grirë e hedhim në tigan. Ulim zjarrin dhe presim që domatja të bëhet njësh me masën tjetër. Në fund shtojmë specat e prerë hollë dhe pas një minuti fikim zjarrin.

Kemi ndezur një furrë të ventiluar në 200 gradë. Në tigan shtojmë dy lugë gjizë të bardhë dhe e përziejmë me kujdes. Në një tavë dheje hedhim masën në fjalë dhe shtojmë lëngun e mishit që na ka tepruar në tenxheren me presion. Grijmë pak djath parmigiano ose kaçkavall dhe tavën e fusim në furrë për gjysëm ore.

Lyeje çapën e bukës mos ki turp.