Kush ka akoma panetone në shtëpi, mund ta shndërrojë në ëmbëlsirë tak fak

3 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Mendova që do ishin shumë që ashtu si puna ime keni ende ndonjë panetone të mbetur në shtëpi, por mesa më shkruat në inbox, i paskeni llupur me kohë e me vakt, dhe unë paskam qenë e vetmja që kisha akoma (mbajeni mend këtë, sa herë që mateni të më shkruani ‘pse nuk shëndoshesh’: unë ha vërtetë nga pak). Por çuditërisht keni kërkuar “recetën, recetën”, si asnjëherë tjetër. Ndaj me këtë po kuptoj që ose keni ndërmend të blini Panetone prapë (ua këshilloj, tani janë dhe me gjysmën e çmimit), ose doni ta ruani për herë tjetër. Unë po ua lë gjithësesi në blog, ta keni gjatë gjithë vitit.

Përgatitja me përbërësit për gjashtë gota (mund t’i dyfishoni masat për gota të mëdha, me më shumë shtresa, ose për më shumë gota):

Priteni panetonen e mbetur në feta të holla, dhe pastaj bëjini në formë rrethore duke përdorur gotën me të cilën do e shërbeni. Në vend të Panetones mund të përdorni dhe Pandoro, ose dhe ndonjë kek tjetër që mund të jetë vjetëruar pak.

Përgatisni 6 filxhanë kafe, ekspres, moka ose kafe filtër, që kam përdorur unë. Shtoni pak qumësht.

Rrihni 200 ml pana të ftohtë nga frigoriferi me tre lugë gjelle sheqer, derisa të montohet (të bëhet si shkumë e bardhë). Shtoni 250 gr djathë mascarpone, përziejini dhe rrihini sërish. Lëreni kremin të pushojë së paku 15 minuta në frigorifer.

Lagini njëra pas tjetrës copat e panetones në kafen me qumësht. Shtroni në gotë një fetë panetone, një shtresë krem, pastaj një panetone tjetër dhe pastaj krem. Zbukurojini me copa çokollate, karamele, ndonjë frut të thatë a çfarë të keni nëpër dollapë. Lërini gotat të pushojnë disa orë në frigorifer (unë i lashë gjithë natën).