Kur qershitë takojnë trumzën dhe sjellin një shije Joni

1 vit me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Nëse nuk do quhej Rozmarina, ky Blog mund të ishte quajtur dhe trumza. Por në fund, pasi kaloi në votat e shoqërisë ideja nuk u pranua. Fillimisht sepse duhej pak si më llasticë si emër. Dhe mbi të gjitha sepse pakkush e njeh si erëz, shumica e njohin me emrin “timo”, për shkak të recetave të përkthyera nga italishtja. Une vetë u desh të hapja fjalorin për të qenë e sigurt dhe më pas, që të mos përdorja variantin italian të tharë që shitet në supermarket, të blija një vazo tek një zonjë që shiste lile buzë rruge, e cila e njihte me emrin shqip: trumzë.

Është nga ato erëza që në librat e gatimit gjendet si në recetat e mishit, ashtu edhe në të ëmbëlsirave. Unë nuk e kisha përdorur kurrë në një ëmbëlsirë, edhe pse disa herë i kisha ardhur vërdallë një tarte me qershi dhe trumzë në librin e kuzhinës së Linda Fishtës (vetë Linda që ka jetuar gjatë në Itali përdor fjalën “trumzë”). Vetëm pasi e provova e kuptova ku qëndronte e jashtëzakonshmja e kësaj ëmbëlsire shumë të thjeshtë: bashkimi i trumzës dhe lëkurës së limonit, të jepnin atë shijen e bregut të Himarës, të detit Jon. Bashkë me gjalpin, qershitë dhe bajamet, krijojnë një ëmbëlsirë jo thjesht të shijshme e të veçantë, por një nga ato gatime që ju bëjnë të bëni figurë kaq të mirë tek të ftuarit tuaj (unë e provova me një mysafire shumë, po shumë të veçantë dhe vërtetë u nderova).

Tartë me qershi dhe timo

(sipas Linda Fishtës, që sugjeron që mund ta shoqëroni dhe me akullore me vanilje)

Përbërësit për një tavë me diametër 26 cm

Për brumin sable: 170 gr miell, 20 gr niseshte, 40 gr bajame të bluara, 80 gr sheqer pluhur, një vezë, 100 gr gjalp ne temperaturë ambienti, lëkura e grirë e një limoni bio, pak kripë

Për mbushjen: 400 gr qershi pa bërthamë dhe të ndara në mes, 2 vezë të mëdha ose 3 të vogla, 1 luge kafe me gjethe trumze të grirë imët, lëkura e 1 lime ose limoni të grirë imët në rende, 50 gr sheqer kaf, 30 gr bajame të bluara.

Faza e parë/ përgatitja e brumit sable

  1. Në një robot ose tas përziejmë sheqerin, gjalpin dhe lëkurën e liminit derisa të bëhen si krem.
  2. Shtojmë më pas vezën dhe bajamet dhe I përziejmë akoma.
  3. Hedhim miellin dhe niseshtenë nëpërmjet një site, më pas dhe kripën dhe I përziejmë derisa të kemi një brumë homogjen.
  4. I japim formë të rrumbullakët. E lëmë të pushojë tre orë në frigorifer ose nëse nuk kemi kohë 15 minuta në ngritje.
  5. E e hapim brumin duke I dhënë formën e tavës, duke veshur dhe pjesët anësore me brumë në 2-3 cm lartësi. E shpojmë me pirun që të mos fryhet gjatë pjekjes.
  6. E pjekim për 15 minuta në furrën e ngrohur më parë në 180 gradë, derisa e shohim që brumi ka marrë pak ngjyrë

Faza e dytë

  1. Tek baza e pjekur vëmë qershitë
  2. Në një tas përziejmë vezët me sheqerin, lëkurën e limonit dhe trumzën. Këtë përzierje e hedhim mbi qershitë në tavë. E spërkasim sipër me bajamet e bluara.
  3. E pjekim për 30-35 minuta.