Kur mbyllemi në shtëpi bëjmë krostata të bukura dhe të mira

4 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Krostatë ka ndodhur të bëj shpesh në të shkuarën, por asnjëherë me më shumë nge sesa këtë të dielë, kur ndenja në shtëpi është detyrim për të gjithë. Kështu që brumi i bërë me nge pati kohën e mjaftueshme të pushonte një orë në frigorifer, të piqej në fillim përgjysmë me gurët sipër dhe pastaj të pritej me formë e Tescoma-s që kishte gati një vit në sirtar sepse nuk po gjente kohën për të dalë që aty. Mund ta bëni dhe ju, edhe pse ndoshta pa këto tertipet e formës. Nuk kërkon pazar ekstra, mjafton të jeni reçel, gjalpë, sheqer miell dhe vezë. Reçelin e zgjidhni sipas shijes, unë preferova atë të kajsisë.

Për një tavë me diametër 23 cm me fund të lëvizshëm

170 gr miell; 100 gr gjalpë në temperaturë ambienti, 50 gr sheqer; 1 e verdhë veze; 2 lugë gjelle qumësht; 1 lugë kafeje vanilje; 450 gramë reçel; 1 vezë për të lyer brumin.

Përgatitja:

Hidhni në mikser miellin dhe gjalpin dhe përziejini derisa të formohet një masë si rërë. Shtoni sheqerin dhe rriheni sërish. Në një tas përzieni bashkë të verdhën e vezës, qumështin dhe ekstraktin e vaniljes. Shtojini tek masa e ngurtë dhe përziejini me dorë ose në brumatriçe, derisa të bëhet një brum kompakt. Mbështilleni me qese kuzhine dhe lëreni të pushojë një orë në frigorifer.

Ndizeni furrën në 180 gradë celcius. Hapeni ndërkohë brumin petë rreth 3 mm të trashë në një sipërfaqe që e spërkasni me miell. Peta duhet të dalë më e madhe sesa tava ku do e shtroni. Pritini anët dhe lërini shiritat e mbetur në frigorifer, sepse do t’ju duhen për më vonë. (Nëse doni t’i bëni me formë, bëjini tepricat prapë brum, lëreni të pushojë në frigorifer dhe pastaj hapeni sërish petë dhe priteni në shirita  me formë).

Shtroni një letër kuzhine mbi petën e shtruar në tavë. Mbusheni me gurë të vegjël, që i përdorni për pjekje, ose me fasule që më vonë do të duhet t’i hidhni) dhe vëreni të piqet për rreth njëzetë minuta. Kjo shërben që brumi të mos krijojë fryrje. Hiqini peshat dhe nëse në qendër tarta duket e papjekur, lëreni të piqet dhe pesë minuta, duke lënë të ndezur vetëm pjesën e sipërme të furrës.

Shtroni reçelin mbi brumin e pjekur, vendosni mbi të shiritat dekorativë dhe me një furcë kuzhine lyeni rripat e brumit dhe brumin në anët e tavës me një vezë të rrahur. Piqeni për 20-25 minuta derisa të marrë ngjyrë të artë.