Kur kujton Anin, bëj gati okllainë për ravioli

6 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Ani është shoqe dhe bashkëpunetore e imja prej shumë vjetësh. Ka një qetësi olimpike dhe një mosngutje në çdo gjë që bën, edhe pse ka zgjedhur që në 15 vitet e fundit të punojë si gazetare. Nuk ngutet as në kuzhinë, edhe pse është i vetmi vend që e ka njëqind për me qind pasion. Ndryshe nga të tjerë njerëz, që në shtëpi i ftojmë që t’i gostisim, Ani Jaupajn të gjithë e ftojnë që t’u gatuajë ajo (pjesën më të madhe të pazarit madje ajo e bën rrugës). Ka “të keqen” e madhe që nuk ka as masa, as masë. Domethënë e bën gjithçka me sy dhe niset për të bërë një pjatë, maksimumi dy, dhe sajon rrugës katër të ndryshme. Ama çdo e dielë me të është një përvojë e bukur, një mësim i mirë. Kësaj radhe përshembull, më ka thyer mitin, që makaronat nuk gatuhen në shtëpi, apo se për ta bërë këtë, duhet të jesh shumë mjeshtre.  Nuk ke pse të jesh fare, të bësh ravioli në shtëpi qenka gjëja më e thjeshtë në botë (ose duket shumë e thjeshtë me Anin pranë).

Përbërësit për brumin

100 g miell

1 vezë e plotë

Përbërësit për mbushjen

Gjizë e ëmbël

Kopër

Salmon i tymosur

Përbërësit për kremin

Kungulleshka, erëza të njoma, pak qepë, vaj ulliri

Përgatitja

Zëmë brumin për ravioli me miellin dhe vezën. E punojmë, derisa të jete një masë e ngjeshur, por jo e fortë.

Për mbushjen përziejmë gjizën e ëmbël me koprën dhe salmonin. Nëse zgjidhni një peshk tjetër, apo karkaleca, mund te kombinoni erëzat sipas dëshirës. Rregullojmë shijen me kripë e piper (të kuq kokërr, nese keni).

Hapim brumin sa më hollë të mundemi dhe krijojmë forma sipas dëshirës, me mjete alternative. Ne përdorëm gotat për formën e raviolit në foto.

Vendosim mbushjen (sasia varet nga madhësia e petës që keni formuar) në njerën petë dhe e mbyllim me tjetrën. Mbyllini anët me pirun. Kalojini në nje tavë me pak miell.

Për salcën mund të përdorni perimet që doni. Në këtë rast kemi përdorur kungullin me erëza të njoma, pak qepë dhe vaj ulliri. I kaurdisim të gjitha pak minuta dhe i kalojmë në mikser. Nderkohë, ziejmë raviolit përgjysmë, i kullojme dhe i kalojme në një tigan me pak gjalpe, spec të kuq djeges dhe trumzë (mund të përdorni sherebelë ose erëza të tjera, që ju pëlqejnë). Kripa, piperi dhe vaji i ullirit është në shijet tuaja!