Kur jeta të sjell limona, mund të bësh dhe këtë tartën

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Vite të shkuara, kur kishim shtëpinë private me oborrin e madh, kushdo që vinte tek ne dilte me një qese me limona. Asokohe nuk është se çmoheshin dhe aq prodhimet bio, dukej se gjithandej vetëm të tilla kishte, ama të gjithë thoshin se limonat e dyqanit nuk u afroheshin aspak për shije e aromë atyre të bahçes sonë.

Në ditët e sotme, me gjithë larminë e shitjes, çmimeve, kokrrave me pamjen perfekte, askush nuk di se çfarë blen. Nëse do e kishim ende shtëpinë, me gjithë limonë e portokaj,  atëherë shumë njerëz rrotull meje do ishin më të kënaqur. Ndërkohë që një dhuratë e tillë, një kuti e madhe me limona të sapokëputur në jug, për mua qe një dhuratë e bukur për fundjavën e shkuar.

Meqënëse jemi në periudhë festash, provova një ide dekorimi me limona. Si ato që shoh me shumicë në revista. Nuk doli keq.

Ndërkohë, përveçse dhurova dhe unë disa (festat janë për të ndarë mbi të gjitha), provova të gatuaj një tartë stil francez “tarte au citron”, që i kisha ardhur rrotull disa herë, por që nuk më ishte mbushur mendja ta bëja me limonat e dyqanit (meqë grihet edhe lëkura, duhet të jetë vërtetë cilësi e mirë). Meqë jemi në periudhë festash dhe meqë tartën e shpura në një darkë miqsh, një pjesë të vogël të brumit e bëra biskota në formë yjesh, që i poqa më vete dhe në fund fare i vendosa mbi tartë. Duket bukur, apo jo?!

Përbërësit

Për brumin: 300 gr miell; 50 gram sheqer kaf, 150 gram gjalpë pa kripë në temperaturë ambienti, i prerë në copa të vogla; 2 vezë.

Për mbushjen: 200 ml pana. 200 gram sheqer kaf; lëngu dhe lëkura e grirë e dy limonave; 4 vezë dhe një e verdhë veze.

Përgatitja:

Bëjmë bashkë miellin dhe sheqerin kaf. Hedhim gjalpin dhe i punojmë me dorë derisa të bëhet një masë me thërrmija. Shtojmë vezët dhe e punojmë masën derisa të bëhet brumë. E mbështjellim me qese kuzhine dhe e lëmë të pushojë një orë në frigorifer.

Nxehim paraprakisht furrën në 180 gradë. Në një sipërfaqe të spërkatur me miell, e hapim brumin dhe e bëjmë petë. E vendosim në tavë, duke lënë anët të ndritura mbi 2 centimetër. E shpojmë me pirun, e veshim me letër kuzhine dhe mbushim me fasule që të mos fryhet dhe e vëmë në pjekje për 20 – 25 minuta. Në fund heqim letrën me fasule.

Nëse doni ta zbukuroni me yje ose forma të tjetra, merrni pak nga brumi, bëni format e dëshiruara dhe piqini më vete.

Ndërkohë që tarta piqet, grijmë hollë lëkurën e limonave, i shtrydhim dhe përziejmë në një tas lëngun, lëkurat, sheqerin, panën, vezët dhe të verdhën e vezëve. I përziejmë derisa të jetë bërë një mase e njëtrajtshme. E hedhim këtë përzierje mbi brumin e tartës dhe e pjekim për rreth 30 minuta. E heqim nga tava, sa është ende e ngrohtë që të dalë bukur forma (unë këtë tavën e kam me bordurë të lëvizshme).