Kur jeta të jep borronica, bëj prapë kek pra!

4 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Më pëlqejnë shumë ato fotografitë e mëngjeseve në tasat e shëndetshëm, me kos, me mjaltë e me gjëra dhe me borronica sipër, por të them të drejtën pasi e bëj këtë ditën e parë, të dytën kthehem tek zakonet e mia të dëmshme, siç është ndonjë copë keku, ndonjë fetë buke me djathë dheeeee…. dorëzimi tek vazo e Nutella-s. Ngaj boronicat që më dhuroi jeta dy javë të shkuara (domethënë Orinda), pas një tarte dhe ca kokrrave të ngrëna për qejf, po rrezikonin të vyshkeshin e të prisheshin. Zgjidhja qe një kek tjetër, me një shtresë krem djathi brenda. Tani mund ta vë ndërgjegjen në paqe për tre mëngjeset e ardhshme.

Përbërësit:

¼ cup vaj vegjetal (cup është masë amerikane, e gjeni tek disa enë të milimetruara, ose nëse nuk e keni bezdi matematikën mund të gjeni në internet tabela për ta kthyer në gramë ose mililitër, unë veproja kështu derisa bleva enët matëse); 1 cup sheqer (200 gr); 2 vezë të mëdha; 1 cup kos i skremuar; 1 lugë çaji vanilje; lëngu i një limoni; 1 e ½ cup miell 190 gr; 2 lugë çaji fryrës ëmbëlsirash; pak kripë; lëkura e dy limonëve, ose tre, nëse i doni shijet e forta; 1 cup borronica.

Për shtresën e kremit të djathit

125 gr Philadelphia; ¼ cup sheqer (50 gr); 1 e bardhë veze.

Për glasenë

½ cup sheqer pluhur; 1-2 lugë lëng limoni.

Përgatitja

Ngrohni furrën në 180 gradë. Në një tas përzieni bashkë vajin me sheqerin. Shtoni vezët, kosin, vaniljen, lëngun e limonit dhe përziejini sërish.

Shtoni miellin, pluhurin fryrës, kripën dhe lëkurën e limonit dhe përziejini mire, derisa të bëhet një brum homogjen. Hidhni aty borronicat.

Në një tras përzieni me rrahësin elektrik kremin e djathit, sheqerin dhe të bardhën e vezës.

Hidhni dy të tretat e brumit me borronica në formën metalike qe e keni lyer me vaj dhe pak miell. Hidhni mbi të kremin e djathit dhe shpërndajeni në gjithë sipërfaqen. Hidhni mbi të pjesën tjetër të brumit.

Piqeni për rreth 60-70 minuta. Nëse pas 30 minutash ka marrë ngjyrë të artë, mbulojeni me letrën e aluminit. Bëni provën me krruajtëse dhëmbësh. Lëreni të ftohet përpara se t’i hidhni glasenë e limonit.

Për ta përgatitur atë, shtoni pak nga pak lëng limoni mbi sheqerin pluhur ndërsa e përzieni me pirun. Hidheni mbi kek, kur ai të jetë ftohur plotësisht.