Kur e teprojmë duke ngrënë makarona, fillojmë të hamë noodles

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Meqënëse javën e shkuar e teprova me makarona të ftohta e të ngrohta (sot në mëngjes zbulova që peshoja një kilogram më shumë), mendova që ta nis javën pak më qetë. Planifikova një drekë me perime, por rrugës nepsi bëri të vetën dhe përfundova sërish në makarona, edhe pse justifikimi është se në këtë pjatë perimet janë me shumicë dhe se bëhet fjalë për noodles: makaronat aziatike. Dhe meqënëse deri tani nuk kam njohur aziatikë të shëndoshë, ia mbusha mendjen vetes që nuk po bëj asnjë gabim të dorëzohem përpara një pjate të tillë. Dhe nuk bëra aspak gatim: ishin të lehta dhe gjithë shije. Mënjanë modestinë, shumë afër shijes që i kam ngrënë në Bali, prej nga është eksportuar edhe pakoja e makaronave, që e bleva në mes të Tiranës.

Përbërësit për dy persona

200 gr makarona noodles

200-250 gra karkaleca

1 karrotë e madhe

1 spec i   kuq

1 spec i gjelbër

2 kungulleshka

1 qepë e vogël ose një qepë e njomë

1 copë e vogël xhinxher i freskët

Salcë soje

Vaj vegjetal

 

Përgatitja

Pastroni karkalecat, qërojini dhe hiquni bishtat, kokën dhe fijen e zezë që kanë në kurriz.

Pritni qepën, nëse përdorni të njomë edhe bishtat. Pritini të gjitha perimet e tjera në fije të holla (për karrotën dhe kungujt mua më hyri në shumë në punë prerësja e Tescoma, që i bëri fije të gjata si makarona).

Ngrohni pak vaj vegjetal në tiganin aziatik të quajtur wok (nëse nuk e keni, bën punë edhe një tigan i thellë, mjafton të mos ngjisë) dhe hidhni gjithë perimet dhe xhinxherin në nxehtësi të lartë, duke e përzierë për pak minuta. Shtoni karkalecat dhe vazhdojeni skuqjen për pesë minuta të tjera, duke i shtuar shijen me salcë soje.

Ndërkohë ziejini makaronat noodles për aq miniuta sa e këshillojnë në paketimin e tyre, zakonisht mjaftojnë 3-4 minuta.

Kullojini dhe kalojini në tiganin me perime dhe trazojini pak, ndërsa janë në zjarr. Mund të shtoni ca pika të tjera salcë soje.

Për zbukurim mund të përdorni edhe një dorë stikash të pjekura që i hidhni sipër.

Mund të shtoni dhe koriandër të freskët nëse ju pëlqen (personalisht po ia ndjeva erën mbetem pa ngrënë).