Kur çokollata takon dardhat (dhe pastaj Olti Currin)

1 muaj me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Edhe kur je fillestare fare në kuzhinë, ka ca kombinime, që i di vetvetiu. Përshembull që dardhat dhe çokollata janë një kombinim i shkëlqyer, si molla me kanellën. Ose se kur të del rastësisht përpara, një mik si Olti Curri, dhe e lë për kafe, të nesërmen nuk mund t’i shkosh me një tufë sallate jeshile apo një tas me brokoli të zierë, por se çokollata në këto raste bën punë. Ndaj pra, ka gjithmonë një arsye të provosh një tartë dardhash (nuk janë ende të pjekura dhe nuk e kanë aromën që duhet, ndaj më mirë sesa t’i hash si frut, ia vlen t’i shndërrosh në ëmbëlsirë).

Kjo është një ndër recetat më të thjeshta, dhe nëse në shtëpi keni pana ëmbëlsire dhe çokollatë të zezë, mund ta bëni menjëherë. Brumi është i thjeshtë, gjithë përbërësit e “pasta frola”-s dhe pak kakao e hidhur. Shtëpia do të mbajë një aromë të mrekullueshme për të paktën 24 orët, që vijnë dhe kjo mund të kthehet në ëmbëlsirën e preferuar të stinës së dardhave, e cila po vjen.

 

Për brumin:

170 gr miell

90 gr gjalpë në temperaturë ambienti

60 gr sheqer

1 të verdhë veze

2 lugë gjelle kakao e hidhur

1 bustinë vanilje

Për mbushjen

120 gr çokollatë e zezë

200 ml pana ëmbëlsirash

4 dardha mesatare

50 gr sheqer

Përgatitja

Përziejmë gjalpin dhe sheqerin pastaj shtojmë të verdhën e vezzës, vaniljen dhe miellin e kakaon. E punojmë sa të bëhet brumë i plotë, e mbështjellim me letër kuzhine dhe e lëmë të pushojë për një orë në frigorifer (ose 15 minuta në ngrirje).

E nxjerrim brumin, e punojmë pak me dorë, që të zbutet dhe e hapim në tavën që e kemi lyer më parë me gjalpë dhe miell. E shpojmë brumin me pirun (që të mos fryhet në pjekje) dhe e pjekim për 15 minuta në furrën e ngrohur më parë në 180 gradë.

Çokollatën bashkë me panën dhe sheqerin e vëmë të shkrijë në zjarr të ngadaltë, derisa të bëhet e gjitha e lëngshme. Qërojmë dardhat dhe i ndajmë në feta.

Hedhim dardhat mbi tartën e pjekur dhe sipër tyre kremin e cokollatës. E pjekim për 20 – 25 minuta të tjera. Para servirjes e ftohim mirë në frigorifer, në mënyrë që të ngrijë çokollata e sipërme.

E presim në feta, e mbështjellim me letër alumini dhe e fusim në çantë për ata që takojmë rrugës.