Krishtlindjet e duan risotton të kuq!

4 javë me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Po the e kuqe, ke thënë festa. Edhe sikur të mos keni asgjë festive në tryezë, një risotto i tillë mund të kthehet në dekorin më të mirë. Sigurisht që ngjyra është natyrale, sepse është bërë me pure panxhari, ndërsa djathi gorgonzola, arrat dhe gjethet e mentes nuk janë vetëm për dekorim, e shtojnë së tepërmi shijen. Bëhet shumë shpejt (nëse nuk llogarit kohën e zierjes së perimeve që mund t’i bëni edhe më parë) dhe është një pjatë e parë perfekte. Ose një darkë e lehtë në një nga ditët e festave, kur e ndjeni se e keni tepruar pak si shumë me të tjerat.

Përbërësit (për dy veta, ju mund t’i përshtasni)

200 gr oriz Arborio (unë kam zgjedhur atë Gold, nga kompania Teuta); 1 qepë shallot (mund të përdorni dhe një të bardhë të vogël në mungesë); 100 gr verë të bardhë; vaj ulliri, një lugë gjalpë; djathë parmigiano të grirë, pak djathë gorgonzola; disa arra; gjethe menteje.

Për purenë: dy panxharë të kuq të vegjël.

Për lëngun e perimeve: një qepë, një karrotë, një degë selino.

Përgatitja

Përgatisim në fillim lëngun e perimeve, i ziejmë bashkë në rreth një litër ujë derisa perimet të zbuten. E kullojmë dhe e mbajmë të ngrohtë. Ndërkohë ziejmë panxharin e kuq dhe e kalojmë në blender, derisa të bëhet pure.

E presim qepën në copa të vogla dhe e skuqim me pak vaj ulliri, pastaj në tiganin e thellë, në nxehtësi mesatare shtohet orizi Gold arborio (kujdes, nuk lahet si orizi shqiptar, sepse nisheshteja e tij nevojotet që ta bëjë kremoz risotton). Pasi kavërdiset pak minuta, e shuajmë me verë dhe e lëmë derisa të avullojë. Shtojmë kripë dhe pak e nga pak i hedhim lëngun e ngrohtë të perimeve (mund ta bëni me ujë dhe koncentrat vegjetal, në këtë rast kujdes kripën në fillim, sepse koncentrati është goxha i kripur).

Kur orizi të jetë zjerë mirë, por ende është kremoz, fikeni sobën, shtoni purenë e panxharit, gjalpin dhe djathin e grirë. Punojeni fort me lugë druri, derisa të jetë tretur gjalpi. Hidheni në mes të patës së cekët, goditeni pak me pëllëmbë nga poshtë që të përpahet mirë në pjatë, hidhini sipër djathin gorgonzola, arrat (unë i poqa pak) dhe gjethet e mentes.