Këto biskota janë më të bukurat dhe i kanë gjithë të mirat (sigurisht dhe gjalpin!)

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Në fillim i pashë tek faqja e Martha Stewart në Instagram dhe mu dukën të bukurat e dheut, por aty nuk kishte asnjë gjurmë të recetës. I kisha bërë “save” gjithsesi derisa të më dilin sërish përpara. Kësaj radhe tek një blogere italiane ushqimesh, që kishte më shumë të dhëna, mes të cilave emrin “ochi di bue”, sytë e buallit. Ajo kishte zgjedhur t’i bënte të rrumbullakëta, që dhe mund t’i ngjanin vërtetë syrit të buallit a të kaut, që unë s’e di fare se nga ndryshojnë nga njëri tjetri (ta mendosh që mua nuk më pëlqen fare as emërtimi i domates zemërkau). Por pasi gjeta recetën e duhur në internet, iu riktheva idesë së Marthës, ndaj dhe forma e lules ishte vërtetë e përsosur. Në dilemë se cili reçel më pëlqente më shumë, ai i qershisë apo i kajsisë, që këshillonte receta dhe Nutellës që propozoi Dea, vajza e mikes sime, i mbusha me të trija. Tri shije janë sigurisht më mirë sesa një.

Ju bëjini si të doni, në daç sy kau, në daç lule pranverore. Ajo që ju garantoj është që do t’ju kënaqen të gjitha shqisat. Do mbushni biskotierën me biskota të bukura, do mbushni shtëpinë me aromën e pangatërrueshme të gjalpit (sakën se dëgjoj njeri të përmendë fjalën vaj për këto punë!) dhe mbi të gjitha do kënaqni qiellzën. Ka vetëm një problem: mbarojnë sa hap e mbyll sytë, kaq pak sa janë, sepse biskotat ngjiten dy e nga dy. Ndaj nëse nuk ngopeni shpejt, ose keni shumë njerëz që duhej të kënaqni, dyfishoni përbërësit dhe kaloni një pasdite të tërë mes shijesh, aromash dhe lulesh shumëngjyrëshe.

 

Përbërësit për rreth 20 biskota

250 gr miell; 80 gr niseshte patateje,130 gr sheqer pluhur:  160 gr gjalpë; pakëz kripë; një vezë e plotë dhe një e verdhë veze;

Për mbushjen: reçel kajsie, ose qershie, ose nutella, ose të trija.

 

Përgatitja

Përzieni bashkë me dorë në një tas miellin dhe niseshtenë, shtoni sheqerin, kripën dhe vezët.

Bëjeni brum, mbështilleni me qese kuzhinë dhe lëreni së paku gjysmë ore të pushojë në frigorifer.

Ngrojeni furrën e sobës në 170 gradë.

Hapeni miellin si petë rreth 3 milimetër të trashë dhe bëni format, rrethore ose më bukur akoma, lule. Kur t’i shtroni në tavë, gjysmave të tyre hapini nga një gropë rrethore në qendër. Piqini për rreth 15 minuta.

Pasi të jenë ftohur, mund t’i ngjisni dy e nga dy me reçelin tuaj të preferuar dhe pudrosini me pak sheqer pluhur.