Kërpudha me pastërma për t’ia bërë dimrit me sy

5 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Në këto ditë të ftohta, sipas meje që nuk marr vesh nga dietat, njeriu duhet të hajë do ushqime që të mbajnë. Fjala vjen, qiqrat, bathët, groshët dhe pastërmaja sipas kaptinës sime janë në krye të listës.

Pastërmaja ose mishi i thatë duhet të jetë lope apo derri. Ajo e qingjit përdoret masivisht në groshë, veçanërisht në Dibër, por unë nuk ia honeps dot grahmën, ndaj kufizohem tek këto të dyja.

Kam rënë në një pastërma të mirë derri që e marr në Fushë-Krujë, të cilën tash në dimër e përdor shumë për makarona, por edhe për groshë pikante alla romana. Kurse mishin e thatë të Gjakovës e fus në fasulet e vorbës, qiqrra, bathë e më the të thashë.

Sot në mbrëmje, meqë erdha disi herët në shtëpi, dikur nga ora 18.00 thashë të bëj ca kërpudha me pastërma derri si më poshtë vijon.

Përbërësit

Pastërma ose mish i thatë (250 gramë)

Kërpudha (1/2 kilogram)

Spec djegës (2 copë)

Hudhër (2 thelpinj)

Presh (1 fije)

Domate (1 kokërr e lodhur)

Majdanoz (1 tufë)

Lëng zarzavatesh (1 filxhan çaji)

Kripë

Vaj ulliri

Përgatitja

Në një tigan gize ose guri (pra që nuk ngjit) shitjmë vajin e ullirit. Presim mishin e thatë ose pastërmanë me copa kubike shumë të vogla. E hedhim në tigan së bashku me thelpinjë e hudhrës dhe specat djegës. Shtijmë vetëm pak kripë, sepse mishrat e thatë ose të tymosur në përgjithësi janë të kriposur. Presim shumë hollë fijen e preshit dhe e hedhim në tigan. Ndërkohë që kavardisen lehtë, pastrojmë e lajmë kërpudhat. I thajmë me letër kuzhine dhe i presim në katër pjesë. I vendosim në tigan dhe i kavardisim me zjarr mesatar. Më pas, shtojmë lëngun e zarzavateve. Sa pa e pirë krejt lëngun hedhim domaten të bërë me copa kubike (ose domate qershi të ndara në mes).

I mbulojmë me një kapak për 10 minuta me zjarr tejet të ulët. Fikim zjarrin dhe shtojmë majdanozin e prerë hollë. E mbulojmë me kapak për 10 minuta të tjera pa flakë fare, në mënyrë që majdanozi ta lëshojë mirë aromën.

Më pas shërbeje dhe haje me kapshore buke.