Keku jo dhe aq i bukur, por që e çon shijen në tjetër nivel

4 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Një mikesha ime donte një kek me shumë gjëra, “ma bëj me arra, me ndonjë çokollatë, a çfarë të kesh më tha, por e dua të mirë”. Dhe unë bëra këtë kek. Modestinëmënjanë, është vërtetë më i miri, më i shijshmi. Nuk është i bukuri i dheut, pamja është mëse e zakonshme, por ngaqë bën bashkë arrat, bajamet, lajthitë. çokollatën, reçelin, mollët, kanellën dhe gjalpin ka një erë dhe një shije që ç‘ju them…

Provojeni vetë dhe do të më kujtoni. Është shumë i thjeshtë, vetëm do pak nge. Brumi duhet të qëndrojë pak gjatë në frigorifer, ndaj mirë është ta përgatisni në mbrëmje, ta lini gjithë natën të mbuluar tasin me qese kuzhine dhe ta piqni në mëngjes. Kështu shtëpia do të zgjohet me një aromë të jashtëzakonshme dhe do keni një shoqërues shumë të mirë për tasin e kafes.

Përbërësit për tavën drejtëkëndëshe 23×13 cm:

175 gr gjalpë pa kripë në tëmperaturë ambienti; 140 gr sheqer kaf; 2 lugë gjelle reçel luleshtrydheje (unë kisha vetëm reçel qershie, ndaj përdora atë); 2 vezë; 140 gr miell; një lugë gjelle fryrës ëmbëlsirash; 1 lugë çaji kanellë e bluar; 100 gr përzieje arrash, bajamesh, lajthish, të qëruara dhë të shtypura, 50 gr çokollatë e errët e grirë në copa; 2 mollë të qëruara dhe të grira në copa.

Përgatitja

Vendosni në mikser gjalpin, sheqerin dhe reçelin dhe rrihini derisa të bëhen krem. Shtoni një e nga një vezët dhe rrihini derisa të miksohen të gjitha.

Sitni miellin në një tas, shtoni aty pluhurin fryrës dhe kanellën, pastaj shtojini tek përzietrja në mikser. Kur të jetë bërë brum, shtoni gjithë përbërësit e tjerë të grirë dhe trazojini me spatul, derisa të jenë përzierë mirë së bashku. Mbulojeni tasin me qese kuzhine dhe lëreni në frigorifer disa orë, e mira është gjithë natën.

Ngrohni furrën e sobës në 170 gradë. Hidhni brumin në tavën e lyer më parë me gjalpë dhe të spërkatur me miell dhe piqeni për 50 – 60 minuta. Bëni provën me krruajtësen e dhëmbëve, që duhet të dalë e pastër nga brumi, por ndoshta me pak çokollatë të shkrirë. Lërëni të ftohet paksa në tavë përpara se ta përmbysni në enën ku do e servirni.