Keku im i parë pa yndyrë, pa vezë, që bëhet në 3 minuta dhe receta nuk i harrohet

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Në pothuajse një vit, qëkur ekziston Rozmarina, me përjashtim të një keku Krishtlindjesh, receta e të cilit ishte me vaj, gjithë ëmbëlsirat e këtij blogu janë bërë me gjalpë. Sepse për mua, kur vjen fjala për të bërë mëkatin e të ëmblës, e bëj që e bëj, dua ta bëj sa më të madh, ndaj nuk ka kuptim t’i mohoj vetes shijen e gjalpit. Por më duhet ta pranoj: hera e parë me një ëmbëlsirë pa gjalp e pa vaj, madje edhe pa vezë, qe një sukses i vërtetë, ishte një kek shumë i shijshëm dhe i bukur, mjaft i përshatshëm për të shoqëruar kafen e mëngjesit. Ndoshta për këtë duhet të falënderojmë arrën e kokosit dhe qumështin, që veganët mund ta zëvendësojnë gjithashtu me një qumësht alternativ bimor. Këtë mos prisni ta bëj unë, me këto ritme do të duhen dhe nja pesëdhjetë vjet që një adhuruese e gjalpit dhe gjithë ushqimeve mesdhetare në përgjithësi si unë, të shdërrohet në vegjetariane apo vegane.

Nga ana tjetër një kek i tillë ka dhe një avantazh të madh: bëhet në vetëm 5 minuta (edhe ca më pak në fakt) dhe receta është nga ato që nuk ka fare nevojë të shkruhet, sepse mbahet mend menjëherë: një filxhan çaji me qumësht, një me sheqer, një me miell dhe një me arrë kokosi (nëse doni sasi më të madhe, përdorni një gotë uji për të gjithë përbërësit). Shtojini miellit një bustinë fryrës ëmbëlsirash, siteni, shtoni përbërësit e tjerë dhe rriheni me dorë me telin e kekut. Hidheni në një formë që nuk ngjit, ose në një tave që e keni lyer me pak gjalpë dhe miell dhe piqeni për rreth dyzet minuta në furrën e nxehur më parë në 180 gradë. Nëse nis të piqet më shumë në sipërfaqe, mbulojeni me letër alumini dhe lëreni në pjekje, derisa të bëni provën me krruajtëse dhëmbësh dhe ajo të dalë e pastër.