Kek Victoria, sepse Mbretereshat dinë se ç‘bëjnë

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Thuhet se ka qenë keku i preferuar i Mbretëreshës Viktoria: një fetë e tillë shoqëronte çdo pasdite çajin e famshëm anglez. Ndaj dhe ka emrin e saj. Po si për çdo ëmbëlsirë, interneti zien nga teoritë konspirative dhe Italia apo Spanja (Pan di Spagna) pretendojnë se e kanë krijuar ato brumin që shërben si bazë për të gjitha tortat. Madje edhe për “treleçet” e famshme që vijnë nga Amerika Latine.

Sa ta zgjidhë bota se kush e ka shpikur “kekun e sfungjertë”, unë mendova që ishte i duhuri për ta përgatitur ndërsa isha e ftuar në programin e paradites në Top Channel “Në shtëpinë tonë”. Sepse është shumë i thjeshtë, dhe sepse duket bukur në porcelanët me lulet klasike blu të Villeroy and Boch. Një servis mbretëror kërkonte një tortë të tillë, që mund ta bësh për pak minuta edhe vetë, si mbretëresha e shtëpisë tënde.

Përbërësit për tortën në tavën me diametër 22 centimetër

200 gr gjalpë i butë, 200 gr sheqer; 200 gr miell; 8 gr sodë për ëmbëlsira; 4 vezë; 1 bustinë vanilje.

Pak gjalpë dhe miell tjetër për lyerjen e tavës.

Për kremin

200 gr djathë Philadelphia; 200 gr Mascarpone; reçel luleshtrydhesh; sheqer pluhur dhe luleshtrydhe për zbukurim.

Përgatitja

Ndezim furrën në 175 gradë celcius dhe tavën me unaza të lëvizshme e veshim me letër kuzhine, e lyejmë me pak gjalpë dhe e pudrosim me miell.

Rrahim për rreth pesë minuta në robotin e kuzhinës gjalpin me sheqerin derisa të shndërrohet në krem. Shtojmë vezët një e nga një e pastaj dhe vaniljen, duke vazhduar rrahjen. Në një tas sitim miellin bashkë me sodën e bukës. E shtojmë tek përzierja e parë dhe e trazojmë me spatul.

E hedhim në tavën e bërë gati më parë dhe e pjekim për rreth 40 minuta, në varësi të sobës, nëse e shohim që nuk është pjekur nga brenda, e mbulojmë për njëfarë kohe me letër alumini. E heqim nga pjekja pasi të kemi bërë provën me krruajtëse dhëmbësh dhe të na ketë dalë e pastër.

Ndërsa keku ftohen përziejmë me pirun dy djathrat derisa të bëhet një masë kremoze dhe e lëmë të pushojë në frigorifer.

Pasi torta të jetë ftohur plotësisht e presim në dy feta horizontale. E lyejmë fetën e poshtme me kremin e djathit, mbi të hapim recelin e luleshtrydhes dhe shtrojmë fetën e sipërme. E pudrosim tortën me sheqer pluhur dhe e zbukurojmë me luleshtrydhe ose me frutat tona të preferuara.