Ju prezantoj me krostatën më të thjeshtë e më të bukur

5 muaj me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Nuk e vura në titull togfjalëshin “ganache me çokollatë të bardhë” sepse mund t’ju trembi, edhe pse për ta bërë është gjëja më e thjeshtë në botë. Sepse në kaq kohë që ndaj receta në rrjet e kam kuptuar që këto termat franceze na trembin ca të gjithëve. Përtej emërtimit dhe pamjes së bukur, sa të vjen keq ta presësh me thikë, kjo është një nga ëmbëlsirat më të lehta që kam bërë ndonjëherë. E lehtë në teknikë domethënë, sepse nëse e kërkoni të lehtë në kalori, si gjithmonë jeni në faqen e gabuar.

Përbërësit për bazën klasike:

240 gr miell: 2 të verdha veze me madhësi mesatare; 150 gr gjalpë; 100 gr sheqer pluhur; lëkura e grirë e një limoni bio.

300 gr çokollatë e bardhë; 200 ml panna; reçel limoni (në rast se në brum do hidhni lëkurë limoni, ose mund të përdorni çfarëdo lloj reçeli tjetër, sipas shijes që preferoni); luleshtrydhe ose edhe fruta të tjera të freskëta.

Përgatitja

Përziejmë në rrahësin elektrik gjalpin dhe sheqerin derisa të behen krem. Shtojmë të verdhat e vezëve, dhe i rrahim sërish. Shtojmë miellin (edhe lëkurën e limonit nëse e duam) dhe e punojmë me dorë, ose me helikën e brumit në rrahëse, derisa të bëhet brumë.

E hapim brumin me petës dhe e shtrojmë në tavën me formë dhe borde të lëvizshme. Një tavë e tillë na mundëson që të kemi një krostatë të bukur. E lëmë të pushojë në frigorifer për rreth 10 minuta.

Ndërkohë ndezim furrën e sobës në 180 gradë celcius. E heqim tavën nga frigoriferi, shpojmë brumin nga pak me pirun dhe shtrojmë mbi të letër kuzhine dhe e mbushim me gurë dekorativ ose fasule (ky process është i nevojshëm në këto ëmbëlsira që brumi të mos fryhet). E pjekim për 20 minuta. Heqim letrën me gurë dhe e pjekim për rreth 10-15 minuta, derisa të marrë ngjyrë të artë.

Ndërsa krostata ftohet përgatisim pjesën e sipërme. Ngrohim panën dhe kur të jetë afër zierjes e heqim mënjanë dhe hedhim në të cokollatën e prerë në copa të vogla. E lëmë rreth 1 minutë pastaj e trazojmë me lugë duri derisa të jetë shkrirë plotësisht.

Lyejmë krostatën me reçelin e preferuar dhe kur ganache të jetë pothuajse e ftohtë e hedhim sipër. E lëmë ëmbëlsirën në frigorifer së paku tri orë, sa të mpikset plotësisht. E zbukurojmë me fruta të freskëta sipas dëshirës.