Gjuhëz me bajame jua merrte mendja?

4 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

As mua nuk më shkonte në mend, derisa shkova tek shitorja e peshkut që kam afër shtëpisë. Kërkoja gjuhëz për ta bërë në tigan me gjalp, limon dhe verë. Por, njeriu im i besimit për punë të peshkut herë-herë më jep ndonjë ide.

“Bëje si hollandezët!”, më thotë. Ja kthej që jam me Italinë. “Edhe unë – shton ai -, por këtë e qajnë në Holandë…

… dhe ja ku më gjen para shporetit duke pjekur bajame.

Përbërësit:

Peshk gjuhëz (1 kilogram)

Bajame të qëruara (150 gramë)

Gjalpë (100 gramë)

Hudhër (1 thelpi i madh)

Majdanoz (1 tufë)

Kripë

Piper i zi pluhur

Vaj ulliri

Përgatitja:

Peshkun gjuhës e qërojmë nga lëkura, ia heqim kokën, por e lëmë të plotë me gjithë shpinën, pra nuk e filetojmë. Në një tigan i ngrohim bajamet me zjarr të fortë duke u kujdesur që bajamet të piqen në të gjitha krahët. Më pas i mbështjellim me letër kuzhine dhe me një çekiç gatimi i thërrmojmë. Në tigan shkrijmë gjalpin hedhim hudhrën, shtijmë bajamet, kripën, piperin dhe majdanozin. I kavardisim të gjitha me zjarr të ulët. Shuajmë zjarrim dhe presim që masa të ftohet pak. Pastaj peshkun e ngjeshim në të dyja anët brenda në tigani.

Peshkun e shtrojmë në një tavë të mbuluar nga letra e furrës. Çka tepron në tigan ja hedhim sipër peshkut, të cilin e lagim me pak vaj ulliri.

E fusim në një furrë të ventiluar me temperaturë 180 gradë për njëzetë minuta.

Për të tjerat kujdesuni vetë, por holandezët jo gjithmonë janë fluturues.