Gjellë vere, se na hyri vjeshta!

3 javë me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Prapë më mori në telefon dhe më tha: “U ftoh koha, hidhe te rozmarina.al, se nuk ka më kuptim gjella e verës pastaj…”. Tani që e po e shkruaj recetën Iva Tiço është me 39 dhe me thënë të drejtën nja dy lugë gjellë vere do i bënin mirë.

Ky është një gatim që unë e lidh me një gur, të cilin  gjyshja ime e përdorte përherë që ta vinte sipër tenxheres, në mënyrë që ajo të puthitej më së miri me kusinë. Kur na e shërbente ajo, ne e hanim me “kapshore” dhe shijonte për vdekje, prandaj dhe sot, kur jam vetëm e ha me dorë. Jua këshilloj dhe lexuesëve, se nuk është mungesë edukate, por shije e vërtetë.

Kjo gjellë që të dalë e mirë si na e ka ënda duhet të ketë mish të butë që nuk ka nevojë të zihet në presion. Herën e fundit përdora mishin e SPAR, sepse ai është kulluar të paktën 24 orë dhe ka ndjenjur disa ditë në temperaturë 0 deri në 1 gradë. Kjo e bën mishin të butë dhe mbi të gjitha të shëndetshëm.

Përbërësit:

1/5 kilogramë mish viçi tul të prerë në copa të vogla

Speca me ngjyra tre copë (1 i gjelbër, 1 i verdhë, 1 i kuq)

Qepë dy kokrra

Hudhër tre thelpinj

Dafinë (një gjethe)

Rozmarinë (një degëz)

Spec djegës (një copë)

Rigon

Piper i zi

Kripë e trashë deti

Vaj ulliri

Verë e kuqe (një filxhan caji)

Domate të prera me kubikë (dy kokrra ose domate qershi)

Përgatitja:

Në një tigan ngrohim vajin e ullirit dhe hedhim copat e mishit, së bashku me kripën, gjethen e dafinës, rozmarinën dhe specin djegës. I kavardisim dy minuta në zjarr të ulët. Shtojmë qepën e prerë hollë dhe hudhrën. Hedhim piperin e zi. Pas 10 minutash kavardisje me zjarr të ulët shtojmë specat e prerë në rriska të hollë. I kavardisim edhe 10 minuta të tjera dhe i shuajmë me verën e kuqe. Presim sa të avullojë alkoli dhe shtojmë domatet e prera në kubik. E mbulojmë me kapak dhe presim 10 minuta me zjarr të ulët sa të shkrihet domatja dhe të pihet pak lëngu.

Pastaj ça t’hash! Por, mos harroni me “kapshore”.