Edhe me mollë, edhe krokante edhe për Krishtlindje

3 muaj me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Italianët i quajne “rose del deserto”: trëndafilët e shkretëtirës. Problemi i vetëm është se biskotat e mia me këtë emër, më tepër sesa si trëndafilë, të tjerëve në pamje u duken si qofte, ama askush nuk është ankuar për shijen, përkundrazi. Çertifikimin për to e mora një vit më parë, kur Dhurata Thanasi e Lugës së Argjendtë i ngriti në qiell. Sepse kanë shijen thjesht perfekte, të buta dhe krokante njëkohësisht, të ëmbla dhe me pak kripë në balancë të përkryer dhe ndërkohë kanë shijen dhe aromën e Krishtlindjeve: mollë, rrush të thatë dhe kanellë.

Mund t’i bëni gjatë gjithë vitit me copëza çokollate dhe miell bajamesh: krokantja që përftohet nga “corn flakes”-at, do i bëjë biskotat më të veçanta, për t’i surprizuar të gjithë. Por në periudhë festive (Krishtlindjet e mia kanë nisur që në nëntor, bashkë me mollët dhe erën e kanellës), do të jenë aroma dhe shija më e mirë për shtëpinë tuaj gjatë gjithë kësaj kohe.

Përbërësit

2 mollë mesatare, të qëruara dhe të grira hollë

150 gramë sheqer

300 gramë miell të bardhë

1 lugë kafeje me pjekës ëmlësirash

1 lugë çaji kanellë të bluar

180 gram gjalpë në temperaturë ambienti

1 vezë

120 gramë rrush të thatë

100 gram corn flakes

Pak kripë

 

Përgatitja

  • Kaloni mollët në një tigan, bashkë me një lugë sheqer në zjarr të mesëm duke i përzierë vazhdimisht, derisa të zbuten.

  • Hiqini nga zjarri dhe lërini të ftohen.
  • Ngroheni furrën e sobës në 200 gradë.
  • Përzieni në një tas miellin, fryrësin, kripën dhe kanellën.
  • Punoni gjalpin dhe sheqerin e mbetur, derisa të bëhet një masë kremoze. Shtoni aty vezën pa e përzierë shumë.

  • Filloni hidhni tek kjo masë një lugë mollë dhe një nga përzierja e miellit, vazhdoni kështu derisa të bashkoni gjithë përbërësit në një brumë homogjen.
  • Shtoni në fund rrushin e thatë dhe corn flakes-at.
  • Vendosini në tavën ku keni zhtruar letër kuzhine me lugë dhe piqini për 10-15 minuta, derisa të marrin ngjyrë të artë.