Crêpes Suzette për ditën e Francës

4 javë me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Nuk i kam për natyrë kremtimet dhe përkujtimet, por ja që dobësia ime për Francën bën të vetën. Ndaj në ditën e Bastijës, ia vlen të bëj një përjashtim dhe të postoj diçka franceze edhe paksa në flakë: crêpes Suzette (duke u frymëzuar nga një tjetër jo francezeze, Nigella Lawson). Duket cazë e koklavitur, por nuk është aspak e tillë. Veç përbërësve normalë për krepat, ju duhet vetëm një shishe liker Grand Marnier (Mapo Cash and Carry jua sjell në derë të shtëpisë) që mund ta përdorni gjithmonë për krepa, por edhe ta pini për qejfin tuaj pasditeve.

Flakën në fund mund ta shmangni se krepat sërish të shkëlqyer janë, por pse t’i hiqni vetes kënaqësinë e fotografisë së një luge në flakë?!

Le t’i urojmë pra Republikës franceze qindra përvjetorë dhe të nxjerrim tiganët!

Përbërësit:

50 gr gjalpë; 125 gr miell; kripë; 5 lugë gjellë sheqer; 350 ml qumësht;  dy vezë; 50 ml ujë me gaz; 100 ml liker portokalli (Grand Marnier); 2 portokalle organike; pak gjalpë tjetër për pjekjen e krepave.

Përgatija

Shkrini gjalpin, përziejeni me miellin, bashkë me një majë luge kripë dhe 1 lugë gjelle sheqer, shtoni qumështin, vezët dhe rrihini të gjitha bashkë në mikser. Shtoni ujin mineral, një lugë gjelle liker rriheni pastaj dhe lëreni brumin të pushojë për për orë. Ndërkohë, lani portokallet me ujë të nxehtë, grini lëkurën e njërës prej tyre dhe pastaj shtrydhini dhe lëreni lëngun e portokalleve mënjanë.

Nxehni në sobë një tigan që nuk ngjit dhe piqni me pak gjalpë krepat njëri pas tjetrit në nxehtësi të lartë. Mbajini krepat e përfunduar të ngrohtë në furrë në 60 °.

Ngroheni gjalpin e mbetur në tigan, lëreni sheqerin e mbetur të karamelizohet në të derisa të marrë ngjyrë të verdhë të artë. Shtoni lëkurën e portokallit, lëngun dhe gjysmën e likerit, ziejini për 2-3 minuta. Hiqeni nga nxehtësia, ktheni krepat njëri pas tjetrit dhe palosini dy herë. Vendoseni likerin e mbetur në një luge, ndizeni me çakmak dhe derdheni flakën sipër krepave