Byreku i nanës “osh’ nona”

6 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Nana ime ka ca antena speciale që e kupton pa hyrë në shtëpi se cili nga njerëzit e shtëpisë ka ndonjë rënie të humorit dhe pa humbur kohë rrëmben pecin (okllainë) e nis të bëj petët. Sot, ka bërë një byrek me spinaq dhe gjizë pa kripë që megjithëse është ende herët për t’u ulur në tryezë, katër copa i përlava.

Nana e bën byrekun si çamët me pesë petë gjithsej, petë të cilat janë kaq të holla sa mund të dredhësh duhan.

Ajo zë brumin e më pas e tërholl duke hedhur pak niseshte në tryezë për secilën petë. Për çdo petë përafërsisht është një grusht miell sipas dorës së saj. Meqë i ka duart e vogla porsi një fëmijë, duhet të jetë pak a shumë një lugë gjelle miell. Nëse nuk dini të tërhollni petë si puna ime, blejini të gatshme, se nana nuk thotë gjë.

Ja si e bën byrekun nana:

Përbërësit:

Miell (pesë lugë gjelle)

Niseshte (sa t’ju kapin majat e gishtave)

Spinaq (një tufë)

Majdanoz (një tufë)

Nanexhik i freskët (një tufë, por nëse është i thatë si t’jua kapi syri)

Vaj ulliri (një filxhan çaji)

Vezë (dy kokrra)

Gjizë pa kripë (1/2 kilogram ose ricotta)

Kripë

Përgatitja:

Petët bëhen si i shpjegova më lart. Nana e zë brumin vetëm ujë dhe kripë, por nëse dëshironi mund t’i shtoni edhe një lot vaj ulliri.

Përsa i përket harxhit spinaqi pasi lahet dhe pastrohet, futet në ujë të nxehtë vetëm për 1 minutë. E shtrydh, e pret me copa të vogla dhe e vendos në një enë ku i shton kripën, gjizën, majdanozin të prerë hollë, nanexhikun të prerë hollë dhe dy kokrat e vezës. I përzien bashkë.

Më pas në një tavë të lyer me vaj ulliri, e cila nuk ngjit vendos petën e parë. Shton harxhin dhe e shpërndan me merak që mos të grisësh petën. Kështu bën, derisa e mbulon me petën e fundit, të cilin e lyen me gisht me vaj ulliri. Mund të përdorni edhe furçën, por me gisht del shumë e shijshme sipas parimit tonë çam. 

E fut në furrë në temperaturë 180 gradë. Furra duhet të jetë gjithë kohës e aspiruar. Kur e sheh që piqet ana e sipërme ktheje me një tepsi a copë dërrasë nga ana tjetër. Vendose sërish derisa të piqet dhe kjo anëz.

Pastaj kullufite, se “osh’ nona”.