Brinjë qinji me portokall, rozmarinë dhe qepujka të kuqe

2 muaj me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Brinjë qinji me portokall, rozmarinë dhe qepujka të kuqe

Në fakt, nuk e ka kohën në këtë periudhë të vitit, por po blija do gjëra në SPAR dhe më mbetën sytë tek mishi i qingjit. E porosita kasapin të më prejë vetëm brinjë si për zgarë pra të holla, por në fakt i vërvita në furrë.

Meqë është dhjetor i bie të ketë pak grahmë mishi, por nëse ke guximin e amatorit dhe fantazinë e çamit që e ha gjithë vitin, me siguri ke për t’ia dalë.

Kështu që nxitova për në shtëpi për të bërë një sfidë; si t’i bëjmë brinjët e qingjit pa grahmën e tij stinore që jo të tërë e kanë për zemër?

Bëhet mos e vrisni mendjen…

Përbërësit:

Brinjë qingji (1 kilogram)

Portokall (1 kokërr)

Narden (1 lugë çaji)

Hudhër (5 thelpinj)

Qepujka të kuqe (5 kokrra)

Vaj ulliri

Rozmarinë

Arrë moskat

Piper i kuq kokërr

Sherebelë

Verë e kuqe (1 filxhan çaji)

Kripë

Përgatitja:

Në një tigan ose kusi ngroh vaj ulliri me hudhër. Hidhi brinjët dhe nisi e kavardisi me zjarr mesatar. Shto qepujkat e kuqe të paprera, rozmarinën, sherebelën, arrën moskat, dhe më e rëndësishmja griji lëkurën e portokallit. Kripose dhe hidh edhe piperin e kuq kokërr. Me një lugë druri përzieji herë pas here copat që të marrin gjithë aromat. Në një tas shtrydh lëngun e portokallit dhe trete një lugë çaji narden, meqë këto kohë jam marrosur pas tij.

Nëse nuk ke narden shto në haje tre kokrra kumbulla të thata. Pasi kavardisen mirë, ule zjarrin. Hidh lëngun e portokallit dhe filxhanin e çajit me verë të kuqe. Lëri mbuluar me një kapak në zjarr tejet të butë për nja gjysëm ore. Më pas futi në një furrë të ventiluar me temperaturë 180 gradë celcius.

Shoqëroje me patate furre, sallatë ruse, sallatë si ta kesh ose vetëm me çapën e bukës si bëra unë.