Borronicat me mollë qenkan martese e suksesshme!

4 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Tava e tartës këtë stinë është kthyer në aksesorin më të përdorur të kuzhinës sime. Baza pak a shumë e njëjtë, mbushjet e ndryshme, të lënë mundësinë e mëngjeseve të shijshme dhe të ndryshme nga njëri – tjetri. Tartën mund ta bëni gati në mbrëmje, ta lini në frigorifer dhe ta piqni në mëngjes, që të keni një kuzhinë me aromë të mirë gjatë gjithë ditës. Shijon më shumë e ngrohtë, sidomos nëse e shoqëroni me akullore me karamel (një opsion i mirë për ëmbëlsirën pas drekës). Nuk ka shumë sheqer dhe athtësia e borronicave me mollë kombinohen mjaft mirë me thërrmijat me arra, tërshërë dhe kanellë në pjesën e sipërme. Dhe përderisa ka me shumice borronica, mund të jemi në rregull edhe me ndërgjegjen: po marrim vitamina me shumicë.

Përbërësit brumin (për një tavë 23 cm me anët e lëvizshme):

200 gr miell; 100 gr gjalpë pa kripë; 120 gr sheqer; 1 vezë.

Për thërrmijat e sipërme:

75 gr miell; 30 gr sheqer kaf; gjysmë luge gjelle kanellë; 75 gr gjalpë pa kripë; 45 gr tërshërë, 45 gr arra të qëruara dhe të copëtuara.

Për mbushjen:

250 gr borronica të freskëta; 250 gr mollë të qëruara të prera në kubikë rreth 1 cm; 2 lugë gjellë miell misri; 3 lugë gjelle sheqer.

Përgatitja:

Hidhni në një tas miellin, sheqerin, gjalpin në temperaturë ambienti të prerë në copa dhe vezën. Përziejini me dorë derisa të formohet brumë. Mbështilleni me qese kuzhine dhe lëreni në frigorifer të pushojë për rreth një orë.

Ndizni furrën në 180 gradë celcius. Shtroni pak miell në tavolinë dhe hapeni brumin petë me trashësi rreth 5 mm. Shtrojeni në tavë, vendosni mbi të letër kuzhine dhe mbusheni me gurë dekorativë ose fasule (pyesni gjithmonë për këtë, vlen që tarta të mos fryhet). Piqeni për 20 minuta. Hiqni gurët dhe piqeni për 5 minuta të tjera.

Në një tas bëni bashkë përbërësit e thërrmijave, punojini me lugë sa të përzjehen, duke lënë ca kokrra gjalpi të pashkrira mirë.

Për mbushjen, përzieni bashkë boronicat, mollët, miellin dhe sheqerin. Hidheni këtë përzierje mbi brumin e pjekur, përhapni mbi të thërrmijat dhe piqeni rreth 40 – 45 minuta. Nëse fillon të marrë shpejt ngjyrë të artë, mbulojeni me letër alumini. Lëreni të ftohet për rreth gjysmë ore, përpara se ta hiqni nga tava.