Boll me verën, tani le t’i kthehemi gjalpit, më me shije se kurrë

4 javë me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Janë të vetmet biskota, që edhe pa pasur ndonjë formë të sofiskuar, të bëjnë neps sapo i sheh. Dhe kryesorja, duken që nga fotografia që janë të bëra  me gjalpë, të duket se mund t’ua ndjesh aromën. Kështu mu duk dhe mua sapo i pashë mes recetave të librit “The Hummingbird Bakery Cookbook”. Ndaj qenë të parat që provova. Në fillim mendova që t’i bëja vetëm me çokollatën e zezë që kisha përzgjedhur në raftin e produkteve Bio në “Big Market”, në City Park (blerja e përbërësve cilësorë, përfshirë këtu edhe sheqerin kaf Bio, më bën të ndihem më pak në faj që po ha ëmbëlsira). Por pastaj brumin e ndava në dy pjesë, gjysmën e bëra me copa çokollate të errët dhe pjesën tjetër me çokollatë të bardhë (ju kam thënë ndonjëherë që vdes për çokollatë të bardhë?!).

Receta origjinale është me arrat americane pecan, që i gjeni në të gjitha dyqanet. Unë i bëra me arra normale dhe nuk di ta bëj ndryshimin në shije mes të dyja arrave)

 

Përbërësit për rreth 30 biskota

250 g gjalpë në temperaturë ambienti; 100 g sheqer të bardhë; 200 g sheqer kaf; 2 vezë; gjysmë lugë kafeje vanilje; 400 g miell ëmbëlsirash; gjysmë lugë kafeje kripë; çerek luge kafeje fryrës ëmbëlsirash; 100 g çokollatë të prerë në copa të vogla), 100 g arra të qëruara dhe të copëtuara.

Përgatitja

Rrahim gjalpin dhe dy llojet e sheqerit në mikser ose me rrahësin elektrik, derisa të formohet një krem i bardhë. Shtojmë një nga një vezët dhe vijojmë t’i rrahim. Shtojmë vaniljen dhe e rrahim pak, me shpejtësi më të ulët.

Shtojmë miellin, kripën dhe pluhurin pjekës dhe e përziejmë mirë me dorë derisa të bëhet brum (nuk del shumë i fortë). Shtojmë arrat dhe cokollatën e çopëtuar .

E ndajmë brumin në dy pjesë të barabarta dhe u japim formë cilindrike. I mbështjellim me qese kuzhine dhe i fusim në frigorifer në ngrirje për disa orë.

Ngrohim sobën në 170 gradë.

E presim brumin e ngrirë në disqe me trashësi rreth 3 cm. I vendosim më tavën e shtruar me letër kuzhine, me pak largësi nga njëra tjetra, që të mos ngjiten kur fryhen. Nevojiten rreth katër tava të shtruara me letër.

I pjekim për rreth 15 minuta, ose sapo të nisin të marrin ngjyrë të artë. I lëmë të ftohen pak në tavë përhara se t’i heqim dhe t’i spostojmë në një enë tjetër, që të ftohen plotësisht.