Ky është një blog gatimi ndryshe nga të tjerët. Jo vetëm sepse ata që e kanë hapur, Iva Tiço dhe Enkel Demi nuk janë kuzhinierë prej vërteti, pra na japin shpresa të gjithëve t’ia marrim dorën në kuzhinë, por edhe sepse dy gazetarët premtojnë që në faqen e tyre të re, të mbledhin edhe shumë receta të vjetra dhe të reja, bashkë me këshilla dhe lifestyle, me sheqer, me kripë dhe e gjeni dot me cfarë? Me shumë erëza. Jo vetëm nga ato të kuzhinës.
Një vendim i marrë shpejt e shpejt, në një kafe në ballkonin e Tirana Post, bashkë me Mira Kazhanin, teksa po organizonin një drekë me miqtë. Pas shtrimit të ideve të Kelit për pjatën e parë e të dytë, kërkësa e Mirës “ëmbëlsirën na e bën Iva” dhe pastaj “po pse të mos i shkruani recetat në portal…”. Prej aty e deri tek Rozmarina pastaj rruga qe shumë e shkurtër. Më e shkurtër ndoshta, se shumë nga recetat e koklavitura të Kelit për mishin, që rri me orë të tëra në marinim apo gatim të ngadaltë, për t’u ngrënë pastaj në vetëm pesë minuta…
Kur erdhi puna të gjenin një emër për blogun e ri, të dy kishin vetëm një ide: të ishte në shqip dhe një fjalë e vetme. Përmendën gjithë përbërësit e kuzhinës, bazikë edhe të rrallë, derisa vendosën që një erëz do ishte më e përshtatshmja. Dhe kështu erdhi rozmarina. Një faqe që nuk premton të bëjë revolucionin, por thjesht të japë një shije më shumë me gatime dhe këshilla praktike.
Prej kohësh, të dy gazetarët, në celularët e tyre gjatë ditës veç ndonjë linku shkrimesh dhe ndonjë memeje për të qeshur, shkëmbejnë fotrografi pjatash, pyetje cfarë t’i hedh dhe sa ta lë në zjarr. Më shumë pyet Iva, ai që jep më tepër mend është Keli. Jo vetëm se çfarë të hedhë dhe sa ta lërë, por dhe ku të blejë. Pyetjet “ku ta gjej një mish të mirë tul” apo “si i bëhet për një peshk të egër”, janë shumë të zakonshme në celularin e tij, ndaj Keli ka vendosur që njohuritë e tij edhe për blerjet t’i ndajë me të gjithë në blog, bashkë me të tjera këshilla, që të dy i mbledhin nga të tjerë miq, apo duke kërkuar dhe përshtatur nga internet. Ndoshta e vetmja punë kjo, që ka lidhje me profesionin e tyre të përditshëm, gazetarinë. Vetëm nëse kjo puna e gatimit do u shndërrohet në profesion kryesor. Nuk i dihet kurrë.