Supa e kërpudhave, që për Isabel Ajlenden quhet “krem pajtimi”

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Shpeshherë më ndodh që libra të ndryshëm t’i përjetoj bashkë me shije dhe aroma: kur shkrimtari është i mirë ia del që ti në dhomën tënde dimërore, të arrish të ndjesh erën e fortë të gocave të detit, apo të kesh nën hundë erëzat e Lindjes. Isabel Ajlende, një ndër shkrimtaret e mia të preferuara, e bën këtë jo vetëm në romanet e saj, por dhe në një libër që i kushtohet vetëm ushqimit. Tamam tamam, lidhjes së tij me erotizmin. “Afërdita, rrëfime, receta dhe afrodiziakë të tjerë”, përveç se i mbushur me ngjarje dhe rrëfime fantastike, si gjithë letërsia e Ajlendes, është i pasur dhe me shumë receta të thjeshta gatimi, por që duhet të jenë dhe afrodiziakë të vërtetë. Edhe pse nuk mund është vërtetuar plotësisht se ushqime apo gatime të caktuara kanë një funksion të tillë, në fund të fundit të gjithë hamësit dhe shijuesit e dinë se nuk ka asgjë më kënaqësiprurëse sesa ushqimi. Mjafton ndoshta ideja se po gatuan një recetë afrodiziake dhe efekti është i siguruar: në fund të fundit gjithçka nis nga truri.

Recetën që provova këtë të dielë Aljende e quan “kremi i pajtimit”. Unë nuk kisha ndonjë arsye të tillë, por më duhet të pajtohem plotësisht: krem të tillë kërpudhash, kaq të shijshëm, nuk kisha ngrënë askund (edhe pse nuk e servira si ajo por ia përshtata një të diele me haje “lehtshëm”). Dhe me këtë rast, libri “Afërdita” nga sot ndryshoi vendodhje: jo më në bibliotekë, në raftin e “Realizmit Magjik”, por në atë të kuzhinës… Me premtimin që të aromatizojë të tjera të diela alla-Ajlende.

Teksti i mëposhtëm është marrë nga libri.

 

Përbërësit

1 filxhan çaji me lëng mishi (pule, viçi, ose ujë për vegjetarianët)

1 filxhan çaji me kërpudha të freskëta, të pastruara dhe të prera

1 thelpi hudhre

3 lugë vaj ulliri

1 lugë me vaj ulliri me aromë tartufi

¼ gotë vere të kuqe

2 lugë pana shef

Kripë e piper

Përgatitja

Nëse nuk arrij të gjej kërpudha të freskëta dhe jam e detyruar të marr ato të thatat, i lë për njëfarë kohe të zbuten në një filxhan të mbushur me verë të kuqe dhe pasi të kenë arritur formën e dëshiruar, e pi verën me qetësi. Më pas e grij hudhrën, thjesht nga dëshira për të ndjerë erën e saj në gishtat e mi, sepse mund ta përdor fare mirë ashtu siç është dhe e skuq bashkë me kërpudhat për disa minuta, nuk i kam numëruar, por le të themi pesë. I shtoj pastaj lëngun e mishit, verën dhe vajin e ullirit me aromë tartufi, jo të gjithin: lë nja dy pika për të lyer pjesën e pasme të veshit, mos harrojmë që është një afrodiziak. I hedh kripë dhe piper dhe e lë të gatuhet në flakë të ulët, derisa kërpudhat të jenë zbutur dhe shtëpia të kundërmojë erë parajse. Në fund i kaloj të gjitha në shtrydhësen elektrike; kjo është pjesa më pak poetike e përgatitjes, por e pashmangshme. Vesh fustanin më të bukur, lyej thonjtë me manikyr të kuq dhe servir kremin me pana shef në pjatat e ngrohta.