Stollen, keku gjerman i Krishtlindjeve, e bëni vetëm po e deshët shumë

3 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Italianët kanë panetonen, ëmbëlsirën e Krishtlindjeve, por që është preteksti më i mirë për të ngrënë një mëngjes të ëmbël nga nëntori e deri në fund të janarit. Kurse Gjermanët kanë Stollen, dhe qëkur e zbulova gjashtë vite të shkuara ma nxori nga zemra panetonen. “Kekun” gjerman të Krishtlindjeve, si për ironi të fatit e zbulova në “Bäckerei”-n e një kosovari në aeroportin e Frankfurtit, dhe si në një skenar të denjë për filmin “Serendipity” do të hapte pak e nga pak derën e një dashurie dhe Gjermaninë… Gjithsesi le t’i kthehemi Stollenit-it, që në këto vite ma ka gjetur derën e shtëpisë direkt nga Gjermania me anë të shumë njerëzve që ma kanë sjellë (vitin e shkuar madje edhe ndjekëset e Instagramit) e që këtë vit me anullimin e udhëtimit rrezikonte të më mungonte. Në fillim e gjeta tek Baronesha (supermarketi në Bllok që sjell në Tiranë disa nga gjërat që në Shqipëri mungojnë, ose nuk njihen nga të gjithë) dhe pastaj mendova ta bëja vetë. Një vit më parë kur lexova recetën thashë me vete “kurrë”: më tepër sesa për teknikë apo përbërës, kjo ëmbëlsirë kërkon kohë. Por këtë vit kohën e kemi me shumicë, ndaj pse jo?! Stollen i parë është gati. Si çdo gjë që bëhet për herë të parë ka disa difekte, përshembull duhej të dilte më i lartë (më i fryrë). Difektin e formës besoj se do e rregullojmë herën e dytë, që nuk mendoj se do të jetë Krishtlindjet e tjera, por që në janar. Sepse më besoni, me një kafe me qumësht, është mëngjesi më i mirë dimëror.

Përbërësit:

Për majanë: 1 bustinë maja të thatë; 150 ml qumësht pak të vakët; 1 lugë gjelle sheqer;

Për brumin: 370 gr miell; 75 gr sheqer; 1 bustinë sheqer vaniljeje; 1/3 lugë çaji arrë moskat e grirë; 1/3 lugë çaji kardamom pluhur;  1/3 lugë çaji kanellë; 1 vezë; 150 gr gjalpë në temperaturë ambienti.

Për mbushjen: 250 gr rrush të thatë; 6-8 lugë gjellë rum; 100 gr citronat (limona të sheqerosur të prerë në copa të vogla, i gjeni në Conad); lëkura e grirë një portokalli; 100 gr bajame pa lëkurë të prera në feta (edhe këto shiten gati në Conad); 200 gr marzipan (shitet i gatshëm tek Baronesha).

Për në fund: 100 gr gjalp të shkrirë, sheqer të bardhë, sheqer pluhur.

Përgatitja

Rrushin e thatë dhe rumin e hedhim në një tas dhe e lëmë të pushojë për një natë.

Limonat e thatë i vendosim në një tas me ujë dhe i lëmë për rreth dy orë që të zbuten. Heqim ujin.

Përgatisim tretësirën e majasë duke bërë bashkë përbërësit. E lëmë të qëndrojë 15 minuta.

Bashkojmë miellin me tretësirën e majasë, gjalpin, vezën, sheqerin, vaniljen dhe gjithë erëzat. E punojmë brumin, e vendosim në një tas të cilin e mbulojmë me një picetë dhe e lëmë të vijë për 35 – 40 minuta.

Bëjmë bashkë rrushin e thatë me gjithë frutat e tjera të thata dhe i përziejmë mirë (me përjashtim të marzipanit) dhe i lëmë bashkë ndërkohë që presim dhe brumin të vijë.

Bashkojmë brumin me frutat e thata (nëse kemi brumatrice e bëjmë shumë thjeshtë aty, përndryshe me dorë).

Punojmë me dorë marzipanin sa të zbutet.

Ndajmë brumin në dy pjesë. U japim formë katrore, dy centimetër të trashë. Vendosim në mes gjysmën e marzipanit të bërë si shufër dhe e shtypim pak me dorë. Palosim mbi të gjysmën e brumit, dhe mbi të gjysmën tjetër. Me dorë bëjme një kanal të butë në mes, që të kemi formën tipike të Stollen.

Bëjmë dhe formën e dytë dhe i lëmë të dyja në qëndrojnë për 20 minuta, të mbuluara me një peshqir kuzhine.

Ndërkohë ndezim furrën në 180 gradë, lart dhe poshtë pa ajrim. I vendosim ëmbëlsirat në tavën e shtruar me letër kuzhine dhe i pjekim 45-50 minuta, i nxjerrim nga furra dhe i lëmë të ftohen për 10 minuta. I shpojmë me një krruajtëse dhëmbësh, në mënyrë që të thithin gjapin dhe pastaj i lyejmë me furçë me gjalpin e shkrirë. I mbulojmë me sheqer normal.

Kur të jenë ftohur plotësisht, i mbulojmë me sheqer pluhur. I mbështjellim me letër alumini mire, secilën me dy a tre fleta letër alumini, në mënyrë që të mos hyjë ajri, pastaj i mbështjellim me pecetë dhe i fusim në një dollap larg syve dhe nepsit, ku do të qëndrojnë 10 ditë deri në dy javë, përpara se të mund t’i hamë.