Pasta fresca (makarona të ftohta)

6 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Kur kam ngrënë për herë të parë pasta fresca m’u kujtuan makaronat që hanim në klubin e Rrogozhinës, aty ku ishte ndalesa e këmbimit të autobuzëve. Nuk e di përse atyre makaronat u dilnin shumë të mira me lëng domate a salcë, ndërsa në shtëpi i bënim vetëm me gjalë dhe djathtë të bardhë përsipër.

Kur mësuam sekretin e lëngut të domateve ia kërkova me ngulm nanës dhe ajo e gjeti shpikjen. I bëri me gjalpë, i hodhi djathtë bardhë e në fund fare ia plasi salcë koncetrat nga tubeti. Tmerr! LHL (lëndë helmuese luftarake)!

Të mendosh që tani e kam humbur fillin sa receta makaronash njoh, ndaj ja ku po ju bëj të njohur këtë pjatë të mëposhtme.

* Tani që temperaturat ngrihen Pasta fresca (makarona të ftohta) është një pjatë shumë e këndshme, plot me ngjyra, e shijshme dhe e lehtë jo vetëm për t’u tretur, por edhe për t’u përgatitur.

Porcion për katër vetë

Përbërsit:

  • Domate qershi (250 gramë)
  • Hudhër (tre thelpinj) ose një hudhër e njomë
  • Borzilok (dy tufa të vogla ose pesë gjethe të mëdha)
  • Kripë
  • Djathtë parmigiano (150 gramë)
  • Djathtë mozzarella (200 gramë)
  • Vaj ulliri (katër lugë gjelle)
  • Piper i zi

Përgatitja:

Në një enë shtijmë domatet e prera në gjysëm, hudhrat e ndara në mes, borzilokun, kripën, tre lugë vaj gjelle ulliri dhe 100 gramë djathtë parmigiano. I përziejmë bashkë dhe e lëmë të pushojë për të paktën dy orë në frigorifer ose ambjent të freskët.

Pas dy orësh ziejmë në ujë 400 gramë makarona të shkurtra, mundësisht orecchiette ose fusilli. Nxjerrim enën nga frigoriferi dhe i hedhim edhe djathin mozzarella të prerë në kubikë të vegjël. Në enë shtijmë makaronat e ziera dhe i përziejmë mirë me masën e krijuar. Pastaj shtojmë pjesën e mbetur të djathit parmigiano dhe vajin e ullirit. I hedhim dhe pak piper të zi sipër.

* Kjo pjatë shërbet e ftohtë, madje po teproi mund të durojë deri në mbrëmje në frigorifer. Është shumë e mirë dhe për ta marrë me vete në eskursione, plazh apo në picnic.