Një tave me karkaleca me konjak i shkon një sallatë e ftohtë me kallamar

5 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Kur shkon në shitoren e peshkut dhe e gjen plot me prodhime rezervati, nuk duhet me e humb guximin, pasi mund të sajosh edhe kështu.

Kjo më ndodhi mua këtë fundjavë, teksa përtoja të shkoja më larg se shitorja e lagjes. Ndaj rrëmbeva një dorë karkaleca nga ata të lirët fare që janë të veckël dhe të qëruar. Mora dhe ca kallamar, sepse për oktapod as që bëhej fjalë.

Të tjerat i kisha në shtëpi.

Përbërësit:

Karkaleca deti (150 gramë)

Kallamar (150 gramë)

Fileto açuge (4 fije)

Krem panna (100 gramë)

Konjak (30 gramë)

Domate qershi (200 gramë)

Ullinj të zinj pa bërthamë (100 gramë)

Hudhër e njomë (2 fije)

Spec djegës (1 copë)

Limon (1 kokërr)

Kaper (10 kokrra)

Majdanoz (1 tufë)

Patate (1 kokërr mesatare)

Gjalpë (20 gramë)

Vaj ulliri

Kripë

Përgatitja:

Sallata e ftohtë me kallamar

Meqë nuk gjeta oktapod si ia ka ënda kësaj sallate, nuk pata frikë dhe e zëvendësova me kallamar. Ata i futa në ujë të valuar për 5 minuta. Më pas në të njëjtin ujë hodha një kokërr patate të qëruar, të cilën prita të zihej mirë, por jo që të shkërmoqej. Ujin mos e derdhni, se mund ta përdorni shumë mirë për makarona.

Në një enë griva shumë hollë gjysëm hudhre të njomë, shtiva ullinjtë e zinj pa bërthamë, ca kokrra kaper, pataten e zier të prerë në kubikë, kallamarin të bërë feta të holla, lëngun e gjysëm limoni ose të gjithë limonin, nëse është i vogël. Vazhdoj të shtoj majdanozin e grirë, vajin e ullirit, kripën dhe i përziejmë. Më pas sallatën e lë të pushojë newcialisonline.net në frigorifer.

Tava me karkaleca në konjak

Në një tigan me vaj ulliri dhe gjalpë të ngrohtë grijmë hudhrën e njomë, teksa e kavardisim së bashku me filetot e açugeve, kokrrat e kaperit dhe specin djegës. Shtojmë karkalecat dhe kripën. Pasi i kalojmë pak i shuajmë me konjak. Pasi avullon alkoli i konjakut ehdhim në tigan domatet qershi të ndara në gjysëm. I lëmë në zjarr të ulët për 10 minuta. Më pas, shtojmë panën dhe e fikim zjarrin. Harxhin e hedhim në tavëza dheu dhe shtojmë pak nga uji ku kemi zier patatet dhe kallamarin.

I fusim në furrë për 20 minuta me 180 gradë.

Drekë e shpejtë dhe shumë e shijshme. Po ia patët mundësinë pini ndonjë gotë verë të bardhë.