Një drekë e mirë festive, për më pak se gjysmë ore

3 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Nuk e kisha menduar ndonjëherë që Krishtlindjen këtë vit do e kisha kaq pa impenjim në kuzhinë. Vura mend nga viti i shkuar, ku niveli i stresit shkoi në tavan dhe u desh të hanim në orën katër. Ndaj bëra dy lëvizje të zgjuara: ëmbëlsirën e bëra një natë më parë dhe i hodha vetëm glasenë e limonit paradite dhe kryesorja: nuk gatova më shumë sesa mund të hanim, siç bëj gjithmonë. Antipastat (një pjatë e vetme me djathë e sallamra) u hëngrën për të shoqëruar verën e kuqe që u hap që në orën 12, ndërsa unë kisha zgjedhur të bëja vetëm dy gjëra të tjera, për të cilat u desh shumë pak kohë. Më erdhën në ndihmë produktet e firmës Teuta, couscous-i me argjinare të konservuar ishte mjaft i përshtatshëm për pjatë të parë dhe sallatë njëkohësisht, kurse mishi me salcën me aceto balsamico u bë tak fak, ndërkohë që gjithçka e kam nxjerrë në story në kohë reale. Dhe meqë vendosëm të mos harxhonim kohë as me fotot në ballkon ku ka dritë natyrale, pas gjysmë ore që nga ngritja nga divani, isha në tryezë duke ngrënë, e kenaqur që nuk kishte as shumë enë për të larë.

Për sallatën me couscous:

Për dy veta unë përdora një gotë uji couscous dhe dy gota me ujë, pra masat 1 me 2, si pilafi jonë. Për ta bërë ishte shumë më e thjeshtë: nxeha ujin me kripë dhe pastaj hodha couscousin. E lashë në zjarr mesatar, për rreth pesë minuta, kur po shterte uji e mbulova me peshqir kuzhine të pastër, i vura kapakun, fika sobën dhe e lashë të pushonte rreth tre minuta (ky është sekreti im për pilafin e shkrifët).

Në paketimin e Teutës, ku gjithmonë ka sekrete për produktet, lexova që nxehja e ujit e shkurton kohën e pregatitjes nga 15 në 5 minuta dhe sigurisht që e ndoqa këtë këshillë. E vura couscous-in e gatuar në pjatën e thellë të sallatës, i hodha argjinaret e konservuara dhe të prera (tre katër i lashë të paprera për zbukurim sipër), shtova lëng limoni, vaj ulliri (por mund të përdorni dhe atë të kavanozit) dhe kokrra shege dhe gjethe të freskëta menteje (nuk janë thjesht dekorative, por japin shije). Ishte shumë e shijshme dhe mendoj që në janar do ma shihni në shpesh (se do duhet të ha pak më lehtë, siç bëjnë të gjithë në janar).

Për fileton me salcë balsamike

Një fileto viçit tenderloin rreth gjysmë kilogram, të pastruar nga çdo lloj dhjami, lëkure marinohet me kripë, pipër të zi dhe pak vaj ulliri (e bëra këtë rreth dy orë përpara drekës dhe e lashë të rrijë). Në një tigan me pak vaj ulliri hodha dy thelpinj hudhër, degë rozmarine dhe sherebele, sa të nisë të zverdhet hudhra shtoheva fileton.

Mishin e skuqa nga çdo anë për pesë minuta, në nxehtësi mesatare pastaj e hoqa nga tigani, hodha hudhrat dhe erëzat dhe tek vaji shtova 100 ml verë të kuqe dy lugë gjelle aceto balsamico dhe 50 gr gjalpë. I lashë në zierje derisa salca nisi të trashet. Shtova sërish mishin, e rrotullova nga pak nga  në çdo anë në salcë dhe e shërbeva me salcën dhe kokrra shege.

Mirë do ishte të shtoja dhe një degë të freskët rozmarine për dekor, por pata protesta në shtëpi që të mos rrezikoja të ftohej mishi. Dhe zakonisht, për festa, unë jam e bindur.