Nga Belshi, me ushqimet, që zilepsin të gjithë

1 vit me parë

Mjaftoi një fotografi e hedhur në rrjetet sociale dhe menjëherë të gjithë e gjetën vendodhjen: Belshi, që na qenka kaq popullor, kaq afër Tiranës, e që vetëm unë nuk e paskam dëgjuar.

Është vendi ideal për ata që duan fundjavave drekat e fshatit, por jo thjesht gatimet në skarë ose prush, por që kërkojnë diçka më shumë. Madje është vend jo thjesht për një drake: mesa duket në këtë zonë ka nisur të lindë turizmi i mirëfilltë, veç hoteleve të reja që po ngrihen, bujtinat e vogla, kaq të ngjashme me bizneset e agroturizmit në Italinë fqinje, kanë nisur të bëhen popullore edhe këtu.

Ndalesa ime dhe e miqve të mi është në Seferan, buzë njërit prej liqeneve. Shumë prej ndjekësve të mi në Instagram e njohin nga peizazhi i bukur, të tjerët njohin antipastën tipike shqiptare, bugaçet e pangatërrueshme, dy llojet e byrekëve, bukën me fërgesë sipër, ullinjtë dhe salcën e kosit, djathrat e shoqëruara me reçele të bëra po aty, ashtu dhe tarratorin… E ndërsa unë ndaloj me kaq (me të ngrënë dhe me postime gjithashtu), miqtë e mi vijojnë me pilafin me rosë. Embëlsira është edhe ajo tradicionale, edhe pse jo siç njihet nga të gjithë: qumështori lezetohet me shafran, ndërsa komposton, me frutat e zonës, mund ta blesh dhe ta marrësh me vete.

Banaku nuk është ende plot me mundësi zgjedhjesh, por kaq pranë Tiranës, në një rrugë të mirëasfaltuar, me peizazh mahnitës dhe higjienë maksimale, është një nga gjërat më të mira që mund të kërkosh për një të dielë.