Mish gjelle në vorbë ose si i themi në shqipe të kulluar, osso buco

5 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Nuk është e njëjta gjë në shqipërim përsa i përket osso buco-s. Ne e njohim si mish gjelle me kockë, kurse ata të tjerët e presin me sharrë kockën, në mënyrë që të përfitosh më së shumti palcën, e cila i jep një shije të rrallë, e cila të bën ta fshish pjatën me çapa.

Nejse, meqë kasapët e Shqipërisë nuk ta bëjnë këtë shërbim në prerjen e mishit të gjellës, mund ta gatuajmë njësoj me mish gjelle.

Në këtë dimër të ftohtë është një pjatë unike, e cila ka vetëm një rrezik; del kaq e shijshme sa dëndesh me të.

Përbërësit:

Katër-pesë copa mish viçi gjelle (ose më mirë akoma osso buco)

Qepë (1 kokërr e madhe)

Selino (2 fije të mëdha)

Karrotë (1 e tillë, e madhe)

Spec djegës (dy copë)

Domate (4 kokrra)

Kripë

Vaj ulliri

Miell (100 gramë)

Përgatitja:

Në një enë enë të vogël kemi vluar pak ujë dhe fusim në të domatet për pesë minuta. Më pas i heqim dhe i lëmë në një pjatë. Sapo ftohen pakëz i heqim lëkurën.

Në një enë balte hedhim vajin e ullirit dhe e lëmë të ngrohet me zjarr mesatar së bashku me specin djegës. Copat e mishit i lyejmë me miell dhe i fërgojmë lehtë në vajin e ullirit në të dyja anët.

Pastaj shtojmë qepën e grirë, selinonë dhe karrotën e grirë. I përziejmë me një lugë druri, derisa qepa fillon dhe merr një ngjyrë pak të zverdheme.

Shtijmë domaten e qëruar kokërr, të cilën vetëm sa e çajmë pak me lugën e drurit.

Shtojmë pak ujë ose lëng zarzavatesh deri në gjysmën e enës së baltës. I vendosim një kapak dhe e lëmë në zjarr shumë të ulët për dy deri në tre orë (varet nëse mishi zien shpejt).

Kujdes; Kripën e hedhim vetëm në dhjetë minutat e fundit, sepse përndryshe mishi i viçit nuk zien. E shtijmë kripën, vetëm pasi të bindemi që mishi është zbërthyer nga kocka.