Mbledhje bordi në shtëpinë e Kelit, ku një superdrekë bëhet për gjysmë ore

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Ka disa njerëz që përgatiten një javë të tërë për të shtruar një drekë për miqtë në shtëpi. Ka dhe disa tjerë që tak – fak, duke bërë muhabet, ia dalin të shtrojnë një tryezë me disa pjata me një të atillë lehtësi, sa të duket sikur nuk po bëjnë ndonjë gjë dhe ushqimet sikur mbijnë me magji në tryezë. Kel Demi bën pjesë në këtë kategori: me sebepin e byrekut të Nanës thotë “ejani nga ne për drekë se po sajojmë ndonjë gjë shpejt e shpejt”. Mysafirët jemi unë dhe Mira Kazhani, pra mund të quhet dhe një mbledhje bordi e Rozmarinës, meqë ishim të tre kur lindi emri, ndërkohë që si vëzhgues të jashtëm merr pjesë dhe familja e Kelit, nëna e të cilit ka bërë byrekun me spinaq, që si asnjë grua e moshës së saj nuk i hedh vaj petë më petë (ndryshe nga mami im që e kullon në vaj) dhe ndonëse më bën vërejtje mua që jam hequr shumë, komplimenton Mirën, që e ka marrë veten se ka shtuar nja dy kile, me krenari thotë që gatimi i saj është i kohës, domethënë dietik. Krejt pa dashje edhe unë kam sjellë diçka dietike: Keli më ka lënë porosi të blej rrugës proshutë cotto, që unë e paskam blerë pa gluten… Gjithsesi me gjithë kundërshtimet e tij, makaronat dalin të mirë. Veç tyre, që kërkojnë shumë pak kohë dhe byrekut që Nana na e ka bërë gati, Keli ia del të sajojë shpejt e shpejt dhe një tavë me mish gici dhe një tjetër me salçiçe puljeze e pazi. Gjithçka me super shije.

 

Makarona rigatë me mascarpone e proshutë

Për këtë gatim, të gjitha llojet e makaronave të shkurtra funskionojnë. Keli ka përdorur penne rigate, por mund të përdoren edhe oriekete, ose fussili. Pasi vëmë makaronat në zierje në ujë me kripë, në një tigan skuqim pak presh me gjalpë dhe me vaj ulliri dhe aty hedhim dhe proshutë cotto të prerë me copa.

Në një tas përziejmë një kuti mascarpone me ujë nga ai ku po ziejnë makaronave, i shtojmë pak piper të zi të bluar, pak vaj ulliri, një gjysmë tufe majdanoz të prerë shumë hollë. E përziejmë, sa të bëhet krem.

Pas zierjes, makaronat i kullojmë dhe i hedhim në tiganin ku është skuqur preshi dhe proshuta dhe i shtojmë kremin dhe djathë parmixhano të grirë. I përziejmë të gjitha bashkë dhe i shërbejmë.

Salçiçe puglieze me pazi

Në një tagan hedhim salcicet puglieze të prera më katërsh dhe i kavërdisim lehtë në vaj ulliri me hudhra dhe spec djegës.

Pastaj hedhim aty pazinë, që më përpara e kemi larë, tharë dhe prerë në copa të vogla dhe kripë. Pasi të jenë skuqur mirë (ka rënë volumi i pazisë), i shuajmë me verë të bardhë. Pas avullimit të verës është gati për t’u shërbyer.

Byftekë gici

Në një tigan gize që nuk ngjit hedhim copat e byftekëve, të cilat i skuqëm me pak vaj, të shoqëruara me hudhër dhe ullinj. Shtojmë piper të kuq kokërr, rozmarinë dhe dafinë për t’i dhënë sa më tepër aromë dhe në fund shtojmë pak arrë të grirë moskat dhe kripë. Pasi janë  skuqur mirë nga të dyja anët, i shuajmë edhe këto me verë të bardhë. Pasi i hedhim verën, i vëmë kapakun sipër që të zbuten edhe nga avulli. Është gati për t’u shërbyer kur lëngu i krijuar nga vera të pakësohet, duke u krijuar një masë viskoze.