Ç‘mund të bësh me Livandë? Biskota me gjalpë përshembull

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Një fotografi e një vazoje të mbushur plot me livandë ngjalli shumë kurreshtje kur u botua në Instagram. Vura re se shumë zonja shqiptare e përdorin këtë erëz si aromatizues natyral për dollapët dhe sirtaret: një qese e vogël linoje bëhet shumë thjesht dhe kushton disa fish më pak se të gatshmet. Dhe ke gjithmonë kënaqësinë e diçkaje të bërë me dorë.

Gjithsesi unë që parpara botimit të fotos kisha menduar që livandën ta përdorja për biskota me gjalpë. Si për herë të parë e rëndova pak dorën, dhe për dreq ajo është dhe e yndyrshme vete, plus gjalpi… Gjithsesi shija ishte shumë e mirë, mjafton të mos bëni gabimin tim dhe do keni biskotat perfekte. Dhe pas kësaj prove të parë mund ta fusim rregullisht livandën edhe në kuzhinë (ëmbëlsira e radhës me mjaltë e livandë quhet “Madeleine”, por më nevojitet të gjej formën, përpara se t’i futemi edhe asaj aventure).

Përbërësit për biskotat

100 gramë gjalpë me kripë në temperaturë mjedisi.

1 decilitër sheqer, ku hedhim një lugë çaji livandë.

1 lugë çaji vanilje

2.5 decilitër miell

Përgatitja

Ngrohim furrën në temperaturë 150 gradë celcius

Rrahim gjalpin dhe sheqerin derisa të formohet një krem i lehtë.

Shtojmë përbërësit e tjerë, derisa të përftojmë një brumë të shkrifët.

I japim brumit formën e dëshiruar për biskota.

I pjekim për rreth 15-20 minuta, derisa të marrin ngjyrë  të artë.