Brunch, diku mes mëngjesit e drekës, dy vakte bashkë

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Eshtë bërë e modës tashmë në Tiranë: të shtunave dilet për brunch, në atë vaktin e ndërmjetëm, kur është shumë vonë për të ngrënë mëngjes dhe shumë herët për të ngrënë drekë dhe ku pirja e një mimose (proseco a shampanjë me lëng portokalli), është i vetmi alkool që mund ta pish përpara orës 12 të paradites dhe të mos bësh figurë të keqe.

Në kujtesën time do mbetet i pashlyeshëm një brunch që kam ngrënë në Paris: ishte me pagesë fikse dhe pasi kisha rrumbulloshur soj soj djathrash, tartash, frutash madje edhe sushi e byreçka aziatike, na erdhi dhe nga një hamburger gjigand… Në Tiranë nuk kam parë asgjë që t’i afrohet, ama disa lokale, ku ndodh të shkoj të shtunave, në menunë e tyre kanë nga një fletë me gatime për brunch. Kryesisht gjëra të thjeshta, më tepër ngjason me menunë e mëngjesit, sesa të drekës. Në shtëpinë time të shtunën i qëndrova traditës së Tiranës, që e pasurova dhe me një brusketë të thjeshtë me proshutë speck dhe djathë brie dhe me pak ëmbëlsirë, muffins me mollë. Si herë e parë, nuk ishte keq, edhe pse mimosa mungoi dhe pija u kufizua në kafe të thjeshtë. Për herën e ardhshme ndoshta, do t’i afrohem më tepër vaktit të famshëm të Parisit, por pa sushin dhe hamburgerin.

Vezë poché

Janë të preferuarat e mia për t’i ngrënë në restorant, zakonisht të shtruara mbi salcë hollandeze, por s’di se përse më ishin dukur shumë të vështira për t’u bërë në shtëpi. Dhe ndonëse për herë të parë, dolën të përsosura. Thjesht duhet që vezët të jenë shumë të freskëta.

Një tenxhere me ujë e çojmë në vlim. Shtojmë një lugë gjelle kripë dhe një me uthull molle.

Kur të jetë gati për të vluar, hedhim një nga një vezët dhe i lëmë rreth tre minuta, sa të jenë mpiksur mirë dhe e bardha të ketë mbuluar të verdhën.

Shtroni mbi një fetë buke (unë kam përdorur Altamura) avokado të prerë hollë, mbi të shtroni vezët, mund t’i hidhni sipër pak qepë të njomë të grirë hollë, përzierë me majdanoz, vaj ulliri, piper të freskët etj.

Muffins me mollë

 

Përbërësit

150 gr miell

120 gr sheqer

100 gr gjalpë në temperaturë ambienti

4 vezë

Një bustinë prej 8 gr fryrës ëmbëlsirash

3 mollë, një dorë rrush të thatë, një lugë gjalp, një lugë sheqer, një lugë çaji kanellë

Përgatitja

Në një tigan skuqim mollët me një lugë gjalp dhe një sheqer derisa të fillojnë të karamelizohen, shtojmë në fund rrushin e thatë dhe i lëmë mënjanë të ftohen.

Në një enë me rrahësin elektrik rrahim sheqerin me gjalpin, shtojmë vezët, fryrësin dhe në fund miellin dhe i rrahim derisa të formohet një brum si i kekut, por pak më i plotë.

Shtojmë mollët e skuqura, i përziejmë me spatul dhe i hedhim nëpër forma

I pjekim për rreth gjysmë ore në furrën e ngrohur më parë në 175 gradë. Bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh.

Për zbukurim dhe për format unë kam përdorur zbukurimet dekorative që gjenden në Jumbo.